Bizneset shqiptare përdorin në masën 96% Teknologjinë e Informacionit në aktivitetin e tyre, çka shënon një 3-fishim krahasuar me vitin 2012, kur ky tregues ishte 30%.
Nga një studim i kryer për herë të parë nga INSTAT sipas metodologjisë së EUROSTAT rezulton se ndërmarrjet shqiptare përdorin kompjuterët në procese të ndryshme të punës në 95% të tyre, ndërkohë që në vendet e BE ky tregues është 98%. Po ashtu bizneset shqiptare përdorin aksesin në internet në 91.4% të tyre, kundrejt 99% që është mesatarja e vendeve të BE.
Të dhënat e këtij studimi janë prezantuar sot paradite në një konferencë të përbashkët për shtyp të Ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe drejtoreshës së INSTAT, Mirela Muça.
Ministrja Harito e ka konsideruar një premtim të mbajtur të Qeverisë trefishimin e përdorimit të Teknologjisë së Informacionit nga ana e bizneseve: “Rritja e përdorimit të teknologjisë së Informacionit nga biznesi ka qenë një nga 4 shtyllat e programit qeverisës për Shqipërinë Inovative, që ne kemi prezantuar 3 vjet më parë. Sot ne prezantojmë para jush, me fakte, një zotim të mbajtur”.
Sipas ministres Harito kjo për të arritur këtu nga qeveria janë marrë një sërë masash konkrete. “Kemi trefishuar investimet në fushën e TIK; kemi trefishuar burimet njerëzore në agjencitë e inovacionit; kemi zhvilluar infrastrukturën e TIK ndërmjet institucioneve; kemi shtuar ndjeshëm shërbimet elektronike duke u bërë promotor dhe nxitës i rritjes së kërkesave të biznesit në përdorimin e teknologjisë dixhitale”, ka theksuar Harito.
Ministrja e Inovacionit ka vijuar duke renditur një sërë shërbimesh jetike për biznesin që tashmë mund të merren online dhe që janë siguruar nga qeveria si: Shërbimet e taksave, licensimit, veprimet noteriale, lejet e ndërtimit, regjistrimit të biznesit, pagesat e faturave etj.
Nga ana e saj drejtoresha e INSTAT, Mirela Muça ka bërë një prezantim të metodologjisë së përdorur për realizimin e studimit. “Ky është një vrojtim vjetor, i cili realizohet për herë të parë i dedikuar për mbledhjen e të dhënave statistikore mbi përdorimin e TIK në ndërrmarje. Ai është realizuar plotësisht sipas standarteve dhe metodologjisë Europiane dhe në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të EUROSTAT”.
Numri i bizneseve të intervistuara për këtë vrojtim ishte 1562 me mbi 10 të punësuar, nga 4097 biznese të regjistruar në këtë kategori. Puna në terren është realizuar gjatë vitit 2015, ndërsa përpunimi i të dhënave është bërë gjatë 3-mujorit të parë të 2016-s.
11 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)