INSTATKrahas problemeve me likuiditetin, mungesën e kredive nga bankat dhe rënien e shitjeve, biznesi vendas po vazhdon të përballet me rritje të kostos së prodhimit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në tremujorin e katërt të vitit 2012, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 113.1%, duke shënuar një rritje prej 0.3% kundrejt tremujorit të tretë 2012. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është +0.1%. Industria nxjerrëse shënoi një rritje prej 0.5%. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e produkteve energjetike” me 2.6%.


Indeksi i çmimeve të prodhimit në degën “Industri përpunuese” shënoi rritje me 0.4%. Brenda saj mund të përmendim rritjen e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetet: “Industria tekstile” me 2.4%, “Fabrikimi i mobilieve” me 2.4%, “Industria ushqimore” me 0.1%. Ulje të çmimeve kanë pësuar kryesisht aktivitetet: “Rafinimi i naftës; koksifikimi” me 0.1%, “Industria kimike” me 2.5%. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 111.2%, duke shënuar një rritje prej 0.1% krahasuar me tremujorin e tretë 2012. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve në degët: “Industri nxjerrëse” me 2% dhe “Industri përpunuese” me 0.1%.