Të ardhurat
2014-a, sipas drejtores së Tatimeve, ishte viti më i mirë fiskal nga administratat e mëparshme, shënoi një rritje prej 7%
Drejtorja e Tatimeve, Shehaj: Operacioni kundër informalitetit, jo luftë ndaj biznesit
Zamir Alushi
Operacioni i shtatorit nuk do të jetë gjobëvënie për biznesin, garantoi dje drejtorja e përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj. Në takimin me mediat në Ministrinë e Financave, në prag të aksionit që qeveria do të ndërmarrë në javët në vijim, Shehaj lëshoi disa mesazhe për biznesin dhe konsumatorin. “Dua të theksoj tri arsye për këtë operacion ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal: e para, kjo nuk është një luftë kundër bizneseve, por operacion për mbrojtjen e konsumatorit dhe qytetarëve, që ata të sigurohen që çdo produkt apo shërbim që ata paguajnë, të taksohet dhe të marrin kupon. E dyta, ky operacion siguron mbrojtjen e bizneseve të vogla e atyre të mëdha që i paguajnë taksat dhe për të përdorin kasat fiskale. Së treti, Nuk është luftë kundër biznesit të vogël, por thirrje që duhet të formalizohet dhe të paguajë taksat”, deklaroi Shehaj. Duke shpjeguar filozofinë e punës së administratës që ajo drejton, Shehaj tha se gjatë kësaj periudhe është ulur sasia e gjobave që i vendosen biznesit. Sipas Shehajt, është arritur të mblidhen më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. “2014-a, viti më i mirë fiskal nga administratat e mëparshme, shënoi një rritje prej 7%. Por, edhe kemi ulur ndjeshëm gjobat e padrejta që vendoseshin nga administrata tatimore sipërmarrjes shpeshherë në shenjë presioni apo kërkesë për ryshfet. Në vitin 2014, u ulën me 30 milionë dollarë gjobat e padrejta karshi biznesit”, tha drejtuesja e Tatimeve. Nga ana tjetër, Shehaj, në të njëjtën linjë me Kryeministrin Rama dhe ministrin Cani, ka siguruar sipërmarrjen se fushata nuk do ta godasë biznesin. “Dua të siguroj që administrata tatimore do të jetë në krah të konsumatorëve dhe sipërmarrësve për të luftuar informalitetin dhe për të dhënë gjithë asistencën e nevojshme që detyrimet të paguhen, publiku të mbrohet, e konkurrenca e ndershme të garantohet”, tha Shehaj. “Nuk kemi të bëjmë me një luftë kundër biznesit, shtoi Shehaj, përkundrazi ky është një aksion që do të mbrojë konsumatorin në shumë dimensione. Ky aksion mbron çdo qytetar, që teksa paguan për çdo mall e shërbim që blen, duhet të sigurohet që paratë që ai jep për shtetin të kalojnë realisht te shteti. Kjo bëhet e thjeshtë vetëm duke u siguruar që për çdo produkt apo shërbim që paguajmë të marrim në këmbim një kupon tatimor”. Po ashtu, Shehaj nënvizoi se lëshimi i kuponit tatimor është një element tregues “se paratë që qytetarët paguajnë po shkojnë me të vërtetë në arkën e shtetit dhe se në këtë mënyrë rriten rrogat e pensionet, ulen taksat, ndërtohen më shumë spitale, shkolla, çerdhe apo rrugë”. Drejtorja e Tatimeve kërkoi që qytetarët t’i kushtojnë vëmendje marrjes së kuponit tatimor. Gjithashtu, Shehaj shpjegoi se, edhe biznesi i madh, edhe i vogël do të trajtohen njësoj në lidhje me detyrimet ndaj shtetit. “Nëse të gjithë do të paguajnë, jo vetëm qeveria, mund të jetë në pozicion më të favorshëm për të ulur taksat, por edhe konkurrenca mes sipërmarrësve do të jetë më e ndershme”, u shpreh Shehaj. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rreth 1 vit që përgatitet për këtë aksion, ndërkohë që janë pjekur kushtet teknike dhe ligjore që administrimi tatimor të kalojë në një etapë të re. Kështu, vendosja e rrjetit të ri informatik të Tatimeve bën rimbursimin automatik të TVSH-së, regjistrimin në kohë reale të veprimeve të pajisjeve fiskale, ndërveprimin me qendra të tjera si QKR dhe Doganat, kontrollin mbi bazën e riskut dhe regjistrimin e borxhit tatimor. Ndërkaq, në prill 2015 u miratuan ndryshime në ligjin për procedurat tatimore që ashpërsojnë gjobat për mosmbajtje të kuponit tatimor dhe pajisjen me kasën fiskale. Përsëritja e kësaj shkeljeje tani klasifikohet evazion fiskal dhe kallëzohet penalisht. Për këto ndryshime të bëra në procedurën tatimore, Shehaj më 16 korrik 2015, firmosi një udhëzim të posaçëm për tatimorët në terren. Ndërkaq, një trup me mbi 500 inspektorë të rinj, që kanë filluar punë rishtazi, janë duke kontaktuar me biznesin, duke plotësuar një formular për mbledhjen e të dhënave. Biznesit në këto takime i bëhen gjashtë pyetje: “Je i regjistruar apo jo? I ke të regjistruar apo jo punonjësit? Ke apo s’ke kasë? Lëshon apo jo kupon tatimor? I afishon apo jo çmimet? A kanë pullë fiskale mallrat e akcizës”.