Ankesa e biznesit: Mirëmbajtja, e shtrenjtë. Në eBay, një pajisje mund të merret me 90 euro
Zamir Alushi
Ulet çmimi i kasave. Dje pasdite u arrit marrëveshja mes Ministrisë së Financave dhe kompanive të autorizuara për tregtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale që çmimi i shitjes për kasat të mos jetë më i lartë se 279 euro. Sipas burimeve nga Financat, është rënë dakord me kompanitë edhe për uljen e çmimeve të mirëmbajtjes së kasave, ndërkohë që njëra prej tyre ka ofruar pagesën me këste për biznesin. Burimi i Ministrisë së Financave deklaroi se nga dje është liberalizuar tregu dhe do të lejohet të tregtojë kasa çdo kompani tjetër që plotëson kushtet, përveç pesë firmave që janë aktualisht. Sipas këtij njoftimi, është bërë ndryshim në vendimin e qeverisë për pajisjet fiskale duke hequr kufizimin.
Ulet çmimi
Nga nesër e mbrapa, njoftoi dje Kryeministri Rama, kasa nga 330 euro që kushton aktualisht do të jetë 279 euro. Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të sektorit të shëndetësisë, Kryeministri Edi Rama, deklaroi se “ky është çmimi absolutisht më i ulët në Europë dhe në rajon, për shkak se, ndërkohë edhe mundësia për shitje është edhe më e lartë”. “Po ashtu kemi bërë një ulje drastike edhe të shërbimit për zgjerimin e memories dhe uljen në një përqindje të caktuar të shërbimeve të tjera si mirëmbajtja e kasës ose një sërë shërbimesh të tjera”, deklaroi Rama. “Këto të gjitha janë të vlefshme për të gjithë ata që do ta porosisin kasën nga nesër e tutje. Besoj që është një lehtësim i konsiderueshëm, duke marrë parasysh që çmimet ekzistuese ishin shumë të larta, sidomos për kategori të caktuara”, deklaroi Rama. “Kasa fiskale ka qenë një problem shumë i madh për shumë njerëz, edhe ndër ju që mund ta keni, shumë e shtrenjtë, me një shifër mirëmbajtjeje të lartë dhe me një tjetër shifër shumë më të lartë për atë që ata e quajnë zgjerimi i memories”. “Ne, tha Rama, besojmë shumë që kjo situatë është e patolerueshme”. Rama u shpreh se kasat janë vendosur si praktikë, nga pikëpamja financiare nga qeveria e mëparshme. “Ajo që është më e keqja është që përveç çmimeve shumë të kripura ka dhe shumë probleme të tjera; mungesë trajnimesh që e kanë detyrim kompanitë t’i bëjnë, mungesë funksionimi të transferimit të të dhënave në kohë reale”, tha Rama. Për këto arsye, shtoi Kryeministri Rama, duke pasur parasysh dhe faktin që ata që vrapojnë sot të regjistrohen janë kryesisht biznes i vogël, por duke pasur parasysh edhe faktin që rritja e numrit të kasave do të jetë e lartë, ne u kemi imponuar kompanive një ulje drastike të çmimit”. “Blini kasën, filloni jepni kuponët që të mos ju duhen pastaj, shpenzime të mëdha për të marrë avokatë”, paralajmëroi Rama.
Mirëmbajtja
Por barra më e madhe për biznesin vjen nga mirëmbajtja dhe shërbimi i kasës fiskale. Nga informacionet e marra pranë kompanive të autorizuara, përveç çmimit të kasës duhet llogaritur: kostoja e kontrollit periodik; kostoja e transmetimit AMC; Kostoja e ndërrimit të QSHKE; kosto të tjera mirëmbajtjeje ose riparimi. Të gjitha këto janë kosto që ndjekin nga mbrapa çdo kasë. Kontrolli periodik dhe transmetimi është i detyrueshëm. Kompanitë kërkojnë aktualisht nga 9 deri në 18 mijë lekë për mbulimin e të gjitha kostove për dy vjet.
Çmimi i kasave në rajon dhe në Europë
Nga një vëzhgim në websitet zyrtare të kompanive të huaja, çmimet e aplikuara në Shqipëri për pajisjet fiskale janë thuajse të njëjta me ato në tregun italian dhe në shumë vende të BE-së. Krahasuar me rajonin, vetëm Kosova rezulton çmime më të larta, ndërkohë që në Maqedoni dhe në Mali i Zi janë më të lira se në Shqipëri. Ndërkaq, këto pajisje të markave botërore mund të sigurohen fare lirë në tregun ndërkombëtar. Për shembull, në “Ebay” të njëjtat pajisje që shiten nga kompanitë e autorizuara kushtojnë deri në 90 euro. I pyetur për këtë fakt, një përfaqësues i një kompanie të autorizuar, u shpreh se “Aty përfshihet dhe modemi për transmetimin e raporteve në Drejtorinë e Përgjithshme Tatimore, kostoja e transmetimit, si dhe kostoja e mirëmbajtjes dhe garancia”. Duke kundërshtuar, ai u shpreh se duhen kasa me specifika që ka vendosur Ministria e Financave. “Çdo shtet ka specifikat e tij. I njëjti model kase për në Kosovë nuk bën për në Shqipëri. Aktualisht, 325 euro që kemi ofertë modelin MP55B, është çmimi më i lirë në treg”.