Fenomeni i çuditshëm në Evropë: Spanja apo Italia kanë vështirësi të marrin para hua, kur i marrin ato u duhet të paguajnë interesa të larta. Ndërsa huadhënësit janë të gatshëm të paguajnë që Gjermania të marrë hua.
Askush nuk jep hua 100 euro, kur e di që pas dy vitesh do të marrë mbrapsht 99 euro. Njerëzit normalë nuk e bëjnë këtë, as investorët profesionalë nuk e bëjnë. Njerëzit normalë do të blinin për një euro një akullore dhe dy vitet e tjera do t’i vinin paratë poshtë dyshekut. Shuma do të mbetej njësoj, duke i shtuar edhe akulloren. Andrew Bosomworth nuk i ka këto mundësi. Ai drejton menaxhimin e portofolot tek Pimco Gjermani. Pimco është pjesë e koncernit Allianz dhe investon para me porosi të klientëve. Shumë para, gati 1 800 miliardë dollarë. “Investorët institucionalë nuk mund të marrin para dhe t`i vendosin ato poshtë dyshekut.”
Desiyrimi për investim
Ruajtjes së parave nën dyshek për investorë si Pimco, i korrespondon vendosja e parave në bankë. Nëse paratë qendrojnë atje për pak kohë, ato nuk sjellin përqindje të madhe interesi: “Përqindjet e interesit që ofrojnë bankat e mëdha janë tani edhe negative. Tek të tjerat ose është zero ose pak pozitive, tek bankat me vlerësime jo të mira.” Kësaj i shtohet edhe fakti që bankave nuk mund t`u zësh besë. Profesionistët si Andrew Bosomworth flasin për rreziqe kontradiktore, pra rreziqe që bankat tek të cilat vendosen paratë të bien vetë në vështirësi. Ai kërkon nga bankat sigurinë më të madhe për paratë e tij, dhe merr si shpërblim bono shtetërore të lëshuara nga shtete si Gjermania për shembull.
Përveç kësaj për investorët institucionalë dhe produktet e tyre financiare ekzistojnë rregulla të caktuara, një pjesë e të cilave janë ligjore, kurse pjesa tjetër e vendosur nga vetë institucioni. Këto rregulla thonë se sa para dhe ku mund të investoni, thotë Chris-Oliver Schickentanz, strateg i investimeve tek Commerzbank. Prandaj nuk është obcion i mirë t`i lësh paratë në bankë. Ose, siç thotë Schickentanz t`i futësh ato në dollap: “Ne nuk duhet t`i lemë paratë në dollap. Shpesh ekziston një kuotë maksimale, e cila mund të lihet si gjendje e arkës. Por kur ky nivel është arritur, atëherë jemi të detyruar që t`i investojmë paratë.”
Pyetja është ku? Hedgefunds dhe investorë spekulative mund t`i investojnë paratë në letra me vlerë, biznes riskant por fitimprurëse. Shumë investorë instuticionalë nuk mund ta bëjnë këtë shpjegon Schickentanz: “Ato mund të jenë sigurime për jetën, ose arka pensioni. Por mund të jenë edhe fonde publike, që nuk duan t`i vendosin paratë e tyre në investime rriskante dhe për shkak të rregullave janë të detyruar t`i investojnë paratë vetëm në obligacione shtetërore.”
Cila është logjika?
Mundësitë e investimit nuk janë të mëdha. Kjo shpjegon pse në janar të këtij viti pati aq shumë investorë që vrapuan të merrnin letrat gjermane me vlerë me afat gjashtëmujor, të ofruara nga Gjermania në një ankand. 3,9 miliardë euro mundi të mblidhte atëherë ministri gjerman i Financave, për herë të parë me një përqindje negative interesi prej 0,01 përqind. Shefi i Pimco Gjermania, Andrew Bosomworth nuk bënte pjesë tek blerësit, sepse ai e di parimin: “Paguhet për të investuar paratë. Pra jepen 100 për të marrë mbrapsht po 100. Kjo nuk tingëllon logjike, por aktualisht bëhet.”
Dhe gjithnjë e më shpesh. Në muajin maj Gjermania dha bono me afat dyvjeçar dhe mblodhi 4,6 miliardë euro. Kuponi i përqindjeve, zero përqind. Për vende si Gjermania, Holanda apo Finlanda, që vlerësohen si të sigurta dhe vlerësohen me nota të mira nga agjencitë e vlerësimit, mund të jetë ende e kuptueshme. Por meqenëse ekzistojnë shumë investorë që duan t`i vendosin në vende të sigurta paratë e tyre, ulen nën nivelin zero përqindjet edhe për vende më pak të sigurta. Javën e kaluar ishte Franca, këtë javë është Belgjika e mbytur në borxhe. Chris-Oliver Schickentanz nga banka Commerzbank thotë: “Aktualisht ne nuk kemi vetëm Gjermaninë që ofron përqindje interesi në zero përqind. Janë 10 vende të mëdha industriale, që janë përgjegjëse për 23 miliardë dollarë bono të palidhura. Këtu shihet që pjesa më e madhe e tregut ofron kushte të njëjta renditesh si bonot shtetërore gjermane.”
Evropa e përçarë
Ndërkohë që Spanja, Italia dhe vende të tjera evropiane vuajnë nga rritja e përqindjeve të interesit, vendeve të tjera sikur u hidhen këto para, vetëm që ato t’i marrin. Kjo është një ndarje e paralajmëruar e zonës së euros, thotë Andrew Bosomworth nga Pimco Gjermani. “Tregjet financiare e ndajnë zonën e euros, sepse mendojnë se ajo nuk funksionion. Çfarë do të thotë kjo? Një ditë politika duhet të japë përgjigje për pyetjen si mund ta formojë në mënyrë të qendrueshme zonën e euros në të ardhmen.”
Për Bosomworth ka vetëm dy mundësi: Ose zona e euros të zvogëlohet vetëm me vende me nivel të njëjtë ekonomik si Gjermania, Austria, Holanda dhe Finlanda. Ose të realizohet një bashkim i vërtetë politik, me një ministër të përbashkët financash, por edhe me pagesa të vendeve të pasura tek vendet më të varfëra. Tregjet financiare që shpesh bëhen përgjegjëse, vetëm sa e rrisin presionin ndaj politikës, për të marrë vendimet.