kredite-bankareRregullorja e re: Bankat të llogarisin me risk të lartë pasuritë e marra debitorëve


Rregullorja


Risku – Me rregulloren e re, bankat duhet të vlerësojnë pasuritë e marra nga debitorët me peshën e rrezikut 150%


Fondet – Vitin e parë, vlera e fondit rezervë do të jetë 5% e çmimit të pronës, të dytin 15%, në vitin e shtatë arrin 100%


Zamir Alushi


Banka e Shqipërisë (BSH) urdhëron që kreditë e këqija të fshira nga bilanci të mbahen në ndjekje dhe të shqyrtohen çdo gjashtë muaj nga bankat. Gjithashtu, BSH-ja u kërkon bankave dhe institucioneve të mikrokredisë që të vendosin fonde rezervë për pasuritë që marrin në pronësi pas vendimeve të ekzekutimit të kolateraleve. Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar në mbledhjen e fundit ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë në banka”, ku udhëzohet që dosjet e kredive të fshira nga bilanci, tw ruhen dhe vlerësohen në vazhdimësi. Sipas rregullit të ri, këto dosje duhen shqyrtuar jo më pak se një herë në gjashtë muaj nga këshilli drejtues i bankës. “Banka, pavarësisht fshirjes së kredive nga bilanci, vazhdon të ndjekë procedurat ligjore për arkëtimin e këtyre kredive”, theksohet në shtesën e bërë rregullores. Ndërkaq, në nenin që parashikon kërkesa të veçanta për trajtimin e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të përftuara nga banka kundrejt shlyerjes së kredive, shtohet udhëzimi: “Bankat hartojnë strategji dhe plane të brendshme, si dhe krijojnë strukturat e përshtatshme për shitjen e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive të dhëna”. Për këto pasuri, BSH-ja urdhëron krijimin e fondeve rezervë, që përmbajnë një kosto të re për bankat. “Bankat, në rastet kur nuk mund të shesin pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive brenda vitit të parë të përfitimit të tyre, krijojnë fonde rezervë për mbulimin e humbjeve”, thekson rregullorja. Për pasuritë e paluajtshme, sipas rregullores së miratuar, fondet rezervë krijohen brenda një periudhe jo më të gjatë se shtatë vite nga data e përfitimit të tyre (marrjes së tyre në pronësi në përfundim të procesit të ekzekutimit të detyrueshëm për kreditë e pashlyera) dhe në nivelin jo më pak se norma në përqindje e vlerës kontabël të këtyre pasurive. Rregullorja e re udhëzon që vitin e parë vlera e fondit rezervë do të jetë 5% e çmimit të vlerësuar të asaj prone, vitin e dytë 15%, vitin e tretë 30%, vitin e katërt 45%, vitin e pestë 60%, vitin e gjashtë 80%, ndërsa vitin e shtatë 100%. Akoma më i madh është fondi për pasuritë e tjera të klasifikuara “të luajtshme”. “Për pasuritë e luajtshme, bankat krijojnë fonde rezervë në nivelin jo më pak se 100% të vlerës kontabël të pasurisë së luajtshme, në rastet kur nuk mund t’i shesin këto pasuri brenda një viti nga data e përftimit të tyre”, nënvizohet në rregulloren e re. Bankat për pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të përfituara deri në muajin dhjetor të vitit 2015, për efekt të llogaritjes së fondeve rezervë, sipas përcaktimeve në këtë rregullore, do të konsiderojnë si vit të parë vitin 2016. Rregullorja ngarkon Departamentin e Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë me ndjekjen e zbatimit të këtyre ndryshimeve. Ndërkohë, për t’iu dhënë kohë bankave të bëjnë përllogaritjet, BSH-ja në një nen të veçantë, përcakton se ky vendim hyn në fuqi në datën 1 dhjetor 2016. Një ndryshim tjetër i rëndësishëm për aktivitetin bankar është bërë nga Këshilli Mbikëqyrës edhe në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”. Sipas vendimit të marrë, pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme do të trajtohen kategori me rrezik të lartë. Kjo do të thotë se bankat duhet të llogarisin riskun 150% për këto pasuri të marra në pronësi. Me rregulloren në fuqi, deri tani bankat vlerësonin me peshën e rrezikut 150%, ekspozimet të cilat u përkasin vlerave të kredisë së akorduar jashtë territorit ku banka ushtron veprimtarinë nëpërmjet filialeve, degëve ose agjencive të saj. Me rregulloren e re, Banka e Shqipërisë konsideron se përfaqësojnë një rrezik të lartë edhe pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive. Në raportin për stabilitetin financiar, referuar gjashtëmujorit të dytë 2015, Banka e Shqipërisë, iu tërhiqte vëmendjen bankave se administrimi i pronave të marra pas ekzekutimit të kolateralit, përbën një rrezik potencial, që sjell kosto në të ardhmen për aktivitetin e tyre.