Rafineria
Mosreagimi i administratorëve të kompanisë ARMO ka bërë që naftëtarët e KPTHN-së Ballsh të protestojnë për të katërtën ditë radhazi duke bojkotuar edhe punën. Ndërkohë, ata shprehen të vendosur se do t’i vazhdojnë protestat e tyre deri në respektimin e kushteve minimale të kontratës kolektive, atë të pagesës për punën që kryejnë. “Do të vazhdojmë të protestojmë dhe të bojkotojmë punën, pasi nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar prej punëdhënësve tanë lidhur me kërkesat që kemi disa muaj që i kemi ngritur. Kërkesat tona janë të thjeshta e legjitime. Ne kërkojmë që të paguhemi për punën tonë. Kemi tri rroga të prapambetura nga viti i kaluar dhe 70% të pagës së muajit të kaluar. Edhe pse na është premtuar se këto paga do të na jepeshin brenda vitit të kaluar ne nuk po i marrim dot as tani. Madje, nuk na e kanë dhënë të plotë rrogën e muajit të fundit duke risjellë të njëjtën situatë me atë të viteve të fundit. Në këto kushte nuk mund të punojmë më, prandaj do të protestojmë derisa të zgjidhen këto çështje themelore”, ka pohuar një prej naftëtarëve. Ndërkohë, që 900 punonjësit e KPHTH-së Ballsh vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre, ende nuk ka një reagim zyrtar prej administratorëve të ARMO-s. Rreth 1400 punonjësve të kësaj kompanie nuk u janë dhënë tri pagesa të prapambetura që prej vitit të kaluar kur ajo administrohej prej Rezart Taçit. Ndërkohë, për muajin e kaluar u është paguar vetëm 30% e rrogës. Ndërsa pjesa më e madhe e naftëtarëve kërkojnë pagesat e rregullta për punën që kryejnë, ish-punonjësit e zjarrfikëses kërkojnë që të rikthehen në punë, pasi reparti i tyre nuk ekziston më.
E. Hoxhaj