Preken 75 zona. CEZ justifikohet me linjat dhe motin e keq. Tirana 7 orë pa energji
Vendi është duke përjetuar krizën energjetike si të vitit 2007, kur sistemi drejtohej nga shteti
ARD KOLA
Nuk mjafton dëshira e Kryeministrit apo paratë e derdhura për KESH-in për importin energjisë, pasi faktikisht vendi është duke përjetuar krizën e dritave, njëlloj si në vitin 2007. CEZ pranon se moti i keq dhe amortizimi i linjave të vjetra bëjnë të mundur stakimin e dritave në mbarë vendin, duke mos kursyer as kryeqytetin, Tirana, e cila dje qëndroi për më shumë se 7 orë në kufizim të plotë energjie elektrike. “Për këto defekte po punohet nga strukturat e CEZ Shpërndarje”, thotë kompania. Me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë kap nivelin e lartë, por rrjeti i vjetër 40-vjeçar, pa investimet e duhura, dhe moti i keq po e kthejnë vendin si në Mesjetë.
Kriza
Sipas listës së bërë publike nga CEZ, janë mbi 75 zona në të gjithë vendin që janë pa furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike prej më shumë se tri ditësh, periudhë kur nisi bora dhe moti i keq përfshiu vendin. Në të gjitha qarqet e vendit raportohen kufizime masive, kurse bashkë me CEZ janë vendosur në ndihmë të situatës edhe brigadat e OST-së. Ky operator njoftoi dje se ka qëndruar në gatishmëri të plotë, për remontet dhe ndërrimi i linjave është i detyrueshëm. Për mbi 8 orë, disa komuna të Tiranës nuk patën energji, thotë OST, kurse kufizimet do të vijojnë të paktën deri më datë 15 dhjetor.
Tirana është duke përjetuar kolaps të vërtetë energjetik. Një defekt i shkaktuar në mënyrë banale nga një firmë ndërtimi, pranë Laprakës, shkaktoi ndërprerjen e energjisë për gjysmën e kryeqytetit, kurse rryma u rikthye pas disa orësh.
Kostot
Ndërsa Berisha vijon të proklamojë moton se “energjia e munguar kushton më shtrenjtë sesa ta blesh me çfarëdo çmimi në treg”, duket se nuk mjafton. Për KESH-in janë ofruar nga arka e shtetit 70 milionë euro për këtë vit, pra për t’i dhënë mundësi vendit se energjia nuk do të mungojë, përmes importeve. Problemi tashmë nuk qëndron te sasia e energjisë që hidhet në rrjet, por te shpërndarja, që nuk është në dorë të shtetit, por të CEZ-it. Kjo kompani pranon se nuk ka investuar aq sa duhet për shkak të problemeve me shtetin shqiptar. Më vitin 2012 nuk ka investuar as 1 për qind të planit, kurse në 2011 vetëm gjysmën e planit, afro 20 milionë euro.
Shqiptarët, jo vetëm që po shlyejnë fatura të kripura, për shkak edhe të atyre që nuk e paguajnë, por janë duke përjetuar edhe mungesën e energjisë elektrike, kurse me taksat që derdhin në shtet, qeveria nuk është në gjendje t’i japë drejtim një herë e mirë sistemit të vjetruar energjetik.
Terreni
Ajo çfarë bie në sy nga deklaratat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OST), duket se ka një moskoordinim të punëve në terren me strukturat e CEZ. OST, në jo pak raste kritikon mungesën e eficencës nga punonjësit e CEZ, për t’iu përgjigjur në kohë problemeve me defektet e linjave në zona të ndryshme, duke shkaktuar kështu kufizime të kota të dritave.
KESH po importon maksimalisht, brenda hapësirave ligjore dhe të rezervës hidrike që ka në dispozicion, por kjo nuk mjafton, pasi vendi nuk përjeton atë situatë të premtuar nga Kryeministri për drita 24 orë. Gjendja në terren paraqitet e vështirë, me kushte të rënduara për shkak të motit. Mjafton një shi dhe erë, për të shkaktuar defektin e radhës. Me temperaturat e ulëta dhe mungesën e dritave, për shumë familje shqiptare jetesa bëhet akoma më e vështirë.
Berisha
Si për ironi të fatit, Berisha foli dje në mbledhje të qeverisë për sektorin energjetik që sipas tij po lulëzon, duke pasur parasysh energjinë e rinovueshme. “Qeveria vendos sot (dje) blerjen me çmimin e importit plus transmetimit, të të gjithë energjisë së prodhuar në vend nga HEC private, koncesion, ose të blerë. Me këtë vendim u jepet garanci maksimale ndërtuesve të HEC-ve, atyre që kanë përfunduar dhe që e kanë të garantuar në përputhje me kapacitetin e prodhimit, por dhe të atyre që ndërtojnë ose disponojnë HEC-e më të mëdha sesa kapaciteti i mëparshëm i prodhimit dhe natyrisht duke u zotuar që do ju blihet energjia, u lihet gjithnjë e mundshme për ta eksportuar për të bërë marrëveshje”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “tregu është i lirë, por në rast se supozojmë që nuk gjejnë treg, tregu shqiptar është i garantuar. Shqipëria do të blejë atë energji me atë çmim që ajo shitet në bursë plus transmetimin”.
Ëndrra
24 orë drita
Privatizimi i OSSH nga kompania çeke CEZ çoi në eufori Kryeministrin Berisha, pasi në mënyrë të menjëhershme garantoi se energjia elektrike do të jetë një mall që nuk do të mungojë gjatë 24 orëve. Në rast se 5 vite më parë, kur sistemi energjetik drejtohej nga shteti, kriza energjetike që përjetonim lidhej me mungesën e fondeve dhe linjave të duhura të transmetimit, ndërsa sot, energjia elektrike që hidhet në rrjet është e mjaftueshme, por linjat janë të vjetruara dhe nuk janë ndërruar si pasojë e mungesës së investimeve. Ëndrra për drita 24 orë do të mbetet e tillë në rast se qeveria dhe CEZ nuk ulen në tavolinë për të diskutuar një herë e mirë për zgjidhjen e problemeve.