Kostot


Do paguhet 6 mijë lekë të tjera për çdo objekt pa leje 


Në kushtet kur të ardhurat janë të pamjaftueshme, Ministria e Financave shikon si mundësi vendosjen e tarifave ekstra për shërbime të ndryshme. Tashmë në sektorin e legalizimeve, qeveria vendosi dje me vendim të posaçëm aplikimin e një tarife shtesë, sa u takon objekteve pa leje.


Në vendimin e mëparshëm, nr.1180, datë 5.8.2008, te tarifat e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje, shtesave informale në ndërtime me leje, aplikohej tarifa e shërbimit për përditësim, e cila është në vlerën 4 mijë lekë, për çdo kat të objektit pa leje/shtesës informale në ndërtime me leje. Me vendimin e fundit, shtohet edhe tarifa e shërbimit për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, me vlerë 6 mijë lekë për çdo objekt pa leje/shtesë informale në ndërtim me leje.


Sipas vendimit, të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për përditësimin dhe për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor do të përdoren nga ALUIZNI dhe do të destinohen respektivisht për përditësimin në terren të gjendjes ndërtimore dhe mbulimin e shpenzimeve për hartimin e dokumentacionit administrativ për legalizimin e objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje.


Subjektet, që përfitojnë legalizimin e objekteve informale, do të shlyejnë brenda 10 (dhjetë) ditësh nga data e njoftimit me shkrim mbi pagesat, vlerat e përcaktuara më sipër, në llogarinë e hapur për këtë qëllim.


Aktualisht procesi i legalizimeve duket se ka nisur të zhbllokohet, pas ndryshimit të krerëve, por problem sipas tyre qëndron pagesa e detyrimeve për shërbimet e kryera.


A.K