Ish-deputeti i PD-së: Xhiroja që prodhon biznesi i vogël është e pandjeshme
Herion Mesi
Sa u takon rezultateve të deklaruara të aksionit të qeverisë kundër informalitetit, për ekspertin e ekonomisë, Selami Xhepa, është shumë shpejt për të folur, pasi sipas tij, të dhënat e para mund të jenë komunikata operative të Ministrisë. “Ne duhet të presim statistikat fiskale, që të gjykojmë për një efekt më tërësor. Në fakt, ajo çfarë ministria ka dhënë deri tani lidhet me regjistrim biznesesh të reja, apo shitje kuponësh tatimorë që mendoj se nuk duhet të shërbejnë si tregues realë të suksesit që duhet të ketë në përgjithësi lufta ndaj informalitetit në ekonomi”,- shprehet Xhepa. Sa i takon pastaj rëndësisë së aksionit, në një prononcim dhënë dje për gazetën “Shqip”, ish-deputeti demokrat shprehet pro nismës, duke theksuar se ekonomia ka nevojë për një formalizim të aktiviteteve të saj, sepse kjo është bazë e rëndësishme për të garantuar edhe stabilitetin e financave publike, por edhe politika ekonomike të studiuara. Megjithatë, Xhepa shprehet kritik për mënyrën se si po tentohet të realizohet formalizimi i ekonomisë, duke e cilësuar atë si një aksion që ka marrë tiparet e një aksioni bipolitik, ku duhej të ishte kërkuar dhe dakordësia e opozitës për këtë çështje. “Kjo duhet të jetë një strategji e një pune të përhershme që duhet të rrokë sa dimensionin e politikave që duhet të zbatohen, ndryshimet institucionalo-organizative dhe pastaj të masave të natyrës më operative siç mund të jenë grupet e punës në terren. Por qasja duhej të ishte strategjike dhe, për më tepër, kjo duhet të përfshinte të gjithë faktorët politikë. Pra, duhej që të kishte një mbështetje nga të gjithë forcat politike të vendit, veçanërisht nga opozita. Pra, duhej të kishte një qasje të studiuar, të diferencuar, sepse dhe vetë natyra e fenomenit është komplekse. Jo çdo lloj natyre sipërmarrjeje, informaliteti mund të zgjidhet me të njëjtat mënyra, siç ka ndodhur praktikisht me konfliktin që është krijuar me biznesin e vogël, ku kemi një mori shqetësimesh që janë krijuar, për të cilat druaj se masat politike që po ndërmerr qeveria në vend që ta zgjidhin, do ta rëndojnë edhe më shumë situatën”,- shprehet profesori i ekonomisë në UET. Duke vijuar më tej ai e quan të gabuar goditjen që po i bëhet biznesit të vogël, pasi sipas tij, nuk është ai “Thembra e Akilit” e informalitetit. “Burimi kryesor i informalitetit janë evazionet fiskale që krijohen në regjistrimin e transaksioneve në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, duke filluar që nga importi, apo prodhimi i brendshëm, deri në aktin final të shitjes në tregtinë me pakicë. Kështu që nuk mendoj se xhiroja ekonomike që prodhon biznesi i vogël, që është numerike si numër biznesi, por është i pandjeshëm për numrin e transaksioneve që ai kryen, edhe kjo përsëri më bën të mendoj se duhej të kishte qenë më e mençur për qeverinë që të ishte fokusuar pikërisht atje ku evazioni është më i lartë, numri i aktorëve është më i kufizuar, dhe masat e politikës do të kishin qenë shumë herë më eficente se sa një veprim i tillë”- shprehet Xhepa. Në përfundim, Xhepa e cilëson si të arsyeshme propozimin e ish-kolegëve të tij të PD-së, që t’u jepet afat bizneseve që të invetarizojnë dhe regjistrojnë të gjitha mallrat e tyre deri në fund të vitit, pasi ato do të ishin subjekte të penaliteteve absurde të qeverisë.