Një grup hakerash ka publikuar në rrjetin e errët rreth 1.4 milionë skedarë të vjedhur nga qeveria e qytetit të Berlinit, pasi skadoi afati për pagesën e një shpërblimi prej rreth 2 milionë eurosh. Sipas transmetuesit publik rajonal RBB, të dhënat janë bërë të disponueshme për shkarkim në disa grupe. Mes materialeve të publikuara ndodhen edhe dokumente personale, përfshirë certifikata pune, oferta dhe vlerësime të punonjësve.

“Argëtohuni, gjuetarë të të dhënave”, shkruan grupi i hakerëve në njoftimin e tij.

Sulmi kibernetik ndaj institucioneve të Berlinit ndodhi më 14 gusht, duke detyruar shërbimet komunale, veçanërisht ato që lidhen me strehimin dhe mjedisin, të shkëputeshin përkohësisht nga rrjeti. Për disa ditë, qytetarët nuk mundën të përfundonin aplikimet apo pagesat për përfitimet e strehimit. Në fund të gushtit, kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, konfirmoi se qyteti ishte bërë objekt i një tentative shantazhi pas sulmit kibernetik dhe deklaroi se autoritetet “nuk do t’i nënshtroheshin” kërkesave të hakerëve.

Grupi Rhysida, i cili sipas mediave gjermane ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Bibliotekës Britanike në Londër në vitin 2023, është lidhur edhe me këtë sulm. Në rastin e Bibliotekës Britanike, hakerët kërkuan 20 bitcoin, ndërsa pas refuzimit të pagesës publikuan rreth 500 mijë skedarë me të dhëna personale të vizitorëve, abonentëve dhe stafit. Publikimi i të dhënave të Berlinit vjen vetëm pak javë para zgjedhjeve komunale të 20 shtatorit. Autoritetet kanë bërë të ditur se procesi zgjedhor nuk është prekur nga sulmi kibernetik.