Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se forcat speciale ukrainase kanë goditur selinë e FSB-së ruse në pjesën e rajonit të Kherson që kontrollohet nga Moska.
Sipas Zelenskyt, gjatë operacionit është shkatërruar edhe një sistem rus i mbrojtjes ajrore tip Pantsir-S1. Presidenti ukrainas publikoi në rrjetin social X pamje nga sulmi, duke theksuar se aksioni ka shkaktuar humbje të mëdha për forcat ruse.
“Falë këtij operacioni të vetëm, humbjet ruse arrijnë në rreth njëqind të vrarë dhe të plagosur”, deklaroi ai.
Kreu i shtetit ukrainas tha gjithashtu se presioni ndaj Rusisë do të vijojë, me qëllim përfundimin e luftës.
“Rusët duhet të ndiejnë nevojën për t’i dhënë fund kësaj lufte. ‘Sanksionet’ afatmesme dhe afatgjata të vendosura nga Ukraina do të vazhdojnë të funksionojnë”, u shpreh Volodymyr Zelensky, duke iu referuar operacioneve të fundit ushtarake të Kievit ndaj objektivave ruse.
