Një sulm me armë zjarri pranë një shkolle të mesme në provincën Manisa, në perëndim të Turqisë, ka lënë të paktën 11 persona të plagosur. Policia ka ndaluar si të dyshuar për ngjarjen një adoleshent 15-vjeçar.
Të shtënat u regjistruan mëngjesin e së martës në afërsi të Shkollës së Mesme Profesionale dhe Teknike Anadolli Inci Üzmez. Sipas autoriteteve, autori hapi zjarr dhe më pas u largua nga zona.
Mes 11 personave të plagosur, dy raportohet se ndodhen në gjendje kritike dhe po marrin trajtim mjekësor.
Pas kërkimeve, policia ndaloi një 15-vjeçar, i cili dyshohet se është nxënës i shkollës pranë së cilës ndodhi sulmi. Kamerat e sigurisë në zonë kanë regjistruar një person duke lëvizur në rrugët përreth me një armë në dorë dhe më pas duke u larguar nga vendngjarja.
Hetimet janë shtrirë edhe te familjarët e të dyshuarit. Ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek, bëri të ditur se nëna, babai dhe gjyshi i adoleshentit janë ndaluar gjithashtu nga autoritetet.
Ende nuk është përcaktuar se çfarë mund ta ketë shkaktuar sulmin. Hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën dhe për të sqaruar motivin.
Për shkak të moshës, 15-vjeçari do të duhet të paraqitet përpara gjykatës përpara se të merret një vendim lidhur me arrestimin e tij zyrtar, në përputhje me legjislacionin turk.
Ministria e Arsimit e Turqisë reagoi pas ngjarjes, duke njoftuar se tre hetues kombëtarë janë dërguar në Manisa për të shqyrtuar rrethanat e incidentit.
Rasti është i treti sulm me armë i raportuar në një shkollë në Turqi gjatë këtij viti. Dy episode të tjera me viktima, të regjistruara në prill, kishin nxitur autoritetet të shtonin masat e sigurisë, përfshirë kontrolle më të rrepta ndaj armëve.
