12 kongresmenë amerikanë dhe senatorë i kanë shkruar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë lidhur me raportimet që Administrata Trump mund të tërheqë forcat amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë.
“Në një kohë të ndjeshmërisë politike dhe ndikimit të rritur të faktorëve të jashtëm në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë, veçanërisht Bosnjën dhe Hercegovinën. Ne ju bëjmë thirrje të mbani nivelin e forcave amerikane për të mbrojtur interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën e kongresmenëve, dërguar më 11 mars.
Ndër të tjera, thuhet se çdo reduktim i pjesëtarëve ushtarakë amerikanë mund të ketë pasoja të konsiderueshme, jo vetëm për kapacitetet operacionale të forcës paqeruajtëse, por edhe për dobësimin e rolit të KFOR-it si pengesë politike:
“Tensionet mes komuniteteve serbe në veri të Kosovës vazhdojnë, ndërkohë që veprimet e vazhdueshme të qeverisë qendrore të Kosovës i acarojnë këto komunitete. Duke pasur parasysh mungesën e progresit domethënës në dialogun Kosovë-Serbi, një reduktim i trupave hiqet një mjet presioni që mund të detyrojë rikthimin në negociata. Për më tepër, një prani e reduktuar amerikane mund të inkurajojë aktorë që shohin tërheqjen perëndimore si një mundësi për të përhapur trazira”.
Po ashtu, theksohet se Rusia ka kërkuar vazhdimisht të shfrytëzojë ndarjet në Ballkanin Perëndimor dhe të dobësojë mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në rajon.
“Në prill 2024, Komandanti Suprem Aleat për Evropën, Christopher Cavoli, dëshmoi para Kongresit se Rusia ishte duke nxitur aktivisht tensione mes grupeve etnike për të minuar integritetin territorial të Bosnjës, gjë që ndikoi në vendimin e tij për të rritur dhe forcuar forcat e KFOR-it dhe për të sjellë më shumë pajisje ushtarake. Për më tepër, Rusia ka penguar aktivisht njohjen e pavarësisë së Kosovës. Duke pasur parasysh se inteligjenca e fundit nuk tregon ndryshim në ndikimin e dëmshëm rus në rajon, nuk duhet të zvogëlojmë trupat amerikanë dhe të lëshojmë hapësirë shtesë për aktivitetin rus”.
Kongresmenët kanë kërkuar sqarim mbi vlerësimin e Departamentit të Shtetit për pasojat e sigurisë rajonale të kësaj tërheqjeje.
“Në veçanti, kërkojmë qartësi mbi procesin vendimmarrës dhe nëse ky vendim po merret si pjesë e rishikimit të pozicionit të forcave të Administratës Trump. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Departamentit të koordinohet ngushtë me Kongresin para se të zbatojë reduktime të mëtejshme të forcave, të cilat mund të kenë pasoja të rëndësishme gjeopolitike”.
Ata i kanë kujtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se është përgjegjës për mbrojtjen e interesave kombëtare të vendit.
“Në këtë situatë, ju kërkojmë të siguroheni që çdo konsideratë për ndryshim të pozicionit të forcave amerikane në Kosovë të shqyrtohet brenda një procesi ndërinstitucional nën udhëheqjen tuaj. Si anëtarë që kemi dedikuar një pjesë të konsiderueshme të kohës tonë për Ballkanin Perëndimor, mirëpresim mundësinë për të biseduar me ju dhe për të diskutuar këtë çështje në detaje më të hollësishme”.
Në muajin shkurt, prestigjiozja amerikane Politico, në edicionin e saj për Evropën, duke cituar katër diplomatë të lartë të angazhuar në bisedimet e brendshme të NATO-s, kishte raportuar se SHBA-të kanë treguar interes për të reduktuar gradualisht angazhimin e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).
Sipas raportimit, sinjalet e SHBA-së për shqyrtimin e angazhimit të KFOR-it kanë shkaktuar shqetësim mes disa aleatëve evropianë, edhe pse diskutimet mbi këtë çështje ndodhen ende në faza shumë të hershme dhe nuk ka asgjë konkrete.
