Një raportim televiziv për një aksident fatal në Poloni u ndërpre nga një tjetër ngjarje e rëndë rrugore, e cila u regjistrua në kohë reale nga kamera. Një 14-vjeçare që po udhëtonte me skuter elektrik u godit nga një automjet vetëm pak metra larg ekipit të xhirimit.
Incidenti ndodhi në Koscierzyna, teksa gazetari i TVP, Milosz Sieliwonczyk, po raportonte nga vendi ku më herët kishte humbur jetën një fëmijë 3-vjeçar.
Gjatë transmetimit u dëgjua papritur një përplasje e fortë. Kamera regjistroi momentin kur automjeti goditi adoleshenten, e cila përfundoi mbi xhamin e përparmë të makinës dhe më pas u rrëzua disa metra më tej. Drejtuesi i mjetit vijoi lëvizjen dhe u largua drejt një rruge dytësore.
“Dëgjova goditjen pas meje dhe operatorin që bërtiti ‘O Zot!’. Kur u ktheva, pashë makinën që largohej me xhamin e thyer dhe një fëmijë të shtrirë në rrugë”, tregoi më pas gazetari.
Sieliwonczyk i kërkoi kameramanit të mbante në fokus automjetin dhe veçanërisht targën e tij, në mënyrë që regjistrimi të mund të përdorej nga autoritetet gjatë hetimit.
Menjëherë pas kësaj, të dy ndërprenë raportimin dhe shkuan pranë 14-vjeçares për ta ndihmuar. Vajza nuk arrinte të ngrihej, ndërsa në skuterin e saj ishin të dukshme gjurmë gjaku. Ekipet e emergjencës u njoftuan dhe mbërritën pas pak minutash.
Adoleshentja kërkoi që të kontaktohej nëna e saj, e cila shkoi gjithashtu në vendngjarje. Më pas vajza u dërgua në spital për ekzaminime. Sipas raportimeve të deritanishme, ajo i ka shpëtuar dëmtimeve të rënda.
Në një zhvillim të pazakontë, drejtuesi i automjetit u kthye në zonë disa minuta pas përplasjes. Gazetari tha se ai zbriti nga makina dhe pyeti se çfarë kishte ndodhur. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë për aksidentin.
E gjithë skena u bë edhe më dramatike për shkak të arsyes pse ekipi televiziv ndodhej aty. Gazetari po përgatiste një raportim për një aksident tjetër, në të cilin një fëmijë vetëm 3 vjeç ishte goditur nga një makinë.
Prindërit kishin arritur ta nxirrnin të miturin nga poshtë automjetit, ndërsa zjarrfikësit dhe më pas ekipet mjekësore zhvilluan përpjekje të gjata për ta rikthyer në jetë. Pavarësisht ndërhyrjes, fëmija nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Rasti vjen vetëm pak ditë pas një tjetër aksidenti fatal të raportuar në Poloni, ku humbi jetën futbollisti 20-vjeçar Oskar Kordus. Sipas raportimeve, një dre i goditur fillimisht nga një automjet që vinte në drejtim të kundërt përfundoi në korsinë ku po lëvizte makina e të riut dhe depërtoi përmes xhamit të përparmë të BMW-së së tij.
Automjeti doli më pas nga rruga dhe përfundoi në një kanal. Edhe pse ekipet mjekësore ndërhynë, Kordus nuk arriti të mbijetonte.
