Së fundmi u konfirmua edhe identiteti i Giovanni Tamburi-t, 16 vjeçari i cili kishte udhëtuar drejt Zvicrës për të kaluar pushimet e fundvitit me miqtë. Babai i tij, Giuseppe Tamburi, sipërmarrës i njohur italian dhe pronar i një kompanie verërash, ka folur për mediat me zë të dridhur, duke ndarë dhimbjen e një humbjeje të pakthyeshme.
“Giovanni ishte dielli im. Jetoja për të dhe me të. Ishte i dashur nga të gjithë, i sjellshëm, i zgjuar, shkëlqente në shkollë dhe në sport. Djali ideal për çdo prind,” rrëfen ai mes lotësh.
Giuseppe tregon se kishte kujdestarinë e të birit që i vogël dhe se jetonin së bashku në Bolonja. Për tre ditë me radhë, familja jetoi mes frikës dhe shpresës, derisa analizat e ADN-së konfirmuan lajmin më të dhimbshëm.
Sipas babait, Giovanni kishte dalë natën e Vitit të Ri për të festuar me shokët. Fillimisht kishin darkuar së bashku dhe më pas ishin drejtuar drejt festës së organizuar në lokalin “Le Constellation”.
“E dija që do të shkonte atje. E pashë për herë të fundit kur i dhashë paratë për mbrëmjen,” kujton ai me dhimbje. Kur pa trupin e të birit, Giuseppe Tamburi shprehet se Giovanni nuk kishte shenja të rënda djegieje, të paktën në fytyrë, çka e çon familjen të besojë se 16-vjeçari ka humbur jetën nga asfiksia e shkaktuar nga tymi, teksa përpiqej të shpëtonte.
“Ishte atletik, i fortë. Jam i bindur që luftoi për të dalë, por ndoshta ishte tepër vonë,” thotë ai. Mes dhimbjes së thellë, babai i viktimës ngre akuza të forta për mungesën e masave të sigurisë në lokal. Ai shprehet i indinjuar për faktin se, sipas tij, nuk ka pasur një dalje reale emergjence.
“Ajo që më trondit më shumë është mungesa e një daljeje të vërtetë. Ishte vetëm një portë e vogël, e mbyllur. Nëse rregullat do të ishin respektuar, sot askush nuk do të kishte humbur jetën,” thekson ai.
Giuseppe Tamburi shton se e njihte lokalin prej vitesh dhe se kishte qenë edhe vetë aty më parë, por kurrë nuk do ta kishte imagjinuar se do të bëhej vendi ku do të humbiste jetën i biri.
“Giovanni ishte plot jetë… dhe aty e humbi. Nuk ka dhimbje më të madhe për një prind,” përfundon ai. Ndërkohë, autoritetet zvicerane kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të verifikuar përgjegjësinë e pronarëve të lokalit, si dhe respektimin e standardeve të sigurisë.




