Andrew Miles dhe Katja von Schweitzer kanë kaluar dy dekada duke rinovuar një pallat mesjetar në rajonin historik të Abruzzos në Itali, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të rikthyer në jetë fshatin San Benedetto në Perillis, i shkatërruar nga një tërmet shkatërrimtar.

Çifti u dashurua me këtë zonë malore për herë të parë në vitin 2005, gjatë një udhëtimi skijimi. Pas 3 vitesh, ata vendosën të linin jetën në Brighton dhe të zhvendoseshin në këtë fshat, ku gjetën një pallat madhështor të shekullit të 15-të, i cili përfshinte edhe një kullë vrojtimi dhe një ndërtesë të fortifikuar të shekullit të 8-të.

Por vetëm një vit pas investimit në këtë pronë historike, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter goditi rajonin, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke shembur kullën e vrojtimit. Fshati hyri në “zonën e kuqe” dhe procesi i rinovimit u bllokua për një kohë të gjatë.

Andrew tregon se shtëpia, me sipërfaqe prej 1,000 metrash katrorë, u bë e pabanueshme dhe ndihmat nga qeveria italiane nuk mjaftuan për të rikthyer në jetë ndërtimet historike.

Megjithatë, pas 18 muajsh vonesa dhe burokracie, çifti mori lejen për të rifilluar punimet në ndërtesën madhështore dhe tani shpreson që investimi i tyre do të rikthejë gjallërinë në fshat.

Katja dhe Andrew treguan në Channel 4 se si kanë qenë sfidat e përditshme dhe kostot e mëdha, por edhe entuziazmin që i mban të lidhur me këtë projekt të jashtëzakonshëm.

Përveç punimeve, ata kanë nisur edhe aktivitete turistike në zonë, duke ofruar ture gjenealogjike për vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë rrënjët e tyre në këtë rajon historik.

Aktualisht, pallati me 50 dhoma është në proces rinovimi dhe çifti është gati të zhvendoset, ndërkohë që vazhdojnë të punojnë për të kthyer këtë perlë të Abruzzos në një vend të gjallë dhe mikpritës.

Katja përfundon me fjalët: “Ishte një nder të jemi pronarë dhe kujdestarë të këtij fshati historik. Ia ka vlejtur çdo sakrificë.”