Rasti i Christa Pike është rikthyer në qendër të vëmendjes pas dështimit të ekzekutimit të saj, por për familjen e viktimës historia nuk duhet të jetë ajo e gruas së dënuar me vdekje. Nëna e Colleen Slemmer kërkon që, pas më shumë se tri dekadash, publiku të kujtojë vajzën e saj dhe jetën që iu ndërpre kur ishte vetëm 19 vjeçe.

Colleen ishte larguar nga Florida vetëm pak muaj përpara vrasjes. Ajo kishte shkuar në Knoxville të Tennessee-s me një synim të qartë: të studionte dhe të ndërtonte të ardhmen e saj në fushën e teknologjisë.

Nëpërmjet programit federal Job Corps, 19-vjeçarja po përgatitej për një karrierë në informatikë. Por në janar të vitit 1995 gjithçka përfundoi tragjikisht.

Sipas dosjes së çështjes, Christa Pike, atëherë 18 vjeçe dhe shoqe klase e Colleen, e joshi atë drejt një zone të izoluar jashtë kampusit. Atje, e reja u torturua dhe më pas u vra. Në krim u përfshi edhe i dashuri i Pike, i cili u dënua gjithashtu.

Një vit më vonë, në 1996, Pike u dënua me vdekje.

“Vajza ime po harrohet”

Më shumë se 30 vjet pas krimit, çështja u rikthye fuqishëm në vëmendjen publike për shkak të ekzekutimit të planifikuar të Pike. Procedura, megjithatë, nuk përfundoi siç ishte parashikuar dhe e dënuara mbijetoi.

Për May Martinez, nënën e Colleen, ajo që pasoi ishte një tjetër goditje. Sipas saj, thuajse i gjithë diskutimi publik nisi të përqendrohej te Pike dhe ajo që i kishte ndodhur gjatë procedurës, duke e lënë sërish viktimën në plan të dytë.

“Kriminelët marrin kaq shumë vëmendje. Pse? Ajo ka humbur në gjithë këtë histori… është harruar”, është shprehur Martinez për WBIR.

Por për familjen, Colleen nuk është thjesht emri i një viktime në një dosje kriminale.

Vajza që ëndërronte një të ardhme mes kompjuterëve

Colleen ishte rritur në Orange Park të Floridës së bashku me nënën, njerkun dhe motrën e vogël.

Familjarët e kujtojnë si një vajzë të qetë, të dashur dhe të pavarur. Dy nga pasionet e saj më të mëdha ishin teknologjia dhe puna me fëmijët.

Interesi për kompjuterët kishte nisur herët. Nëna kujton se Colleen dhe njerku i saj kalonin kohë duke montuar dhe çmontuar kompjuterë, ndërsa 19-vjeçarja dëshironte ta kthente këtë pasion në profesion.

Në të njëjtën kohë, ajo kishte një lidhje të veçantë me fëmijët. Nëna e saj kishte drejtuar një çerdhe për dekada dhe Colleen ishte rritur në një ambient ku kujdesi ndaj tyre ishte pjesë e përditshmërisë.

“Ajo i donte aktivitetet. Kujdesej për fëmijët dhe i pëlqente të bënte gjithçka që kishte të bënte me ta”, ka treguar Martinez.

Këtë anë të karakterit të saj Colleen e kishte shfaqur edhe përmes vullnetarizmit. Ajo kishte marrë pjesë në aktivitete të Olimpiadës Speciale dhe kishte ndihmuar fëmijë me aftësi të kufizuara dhe autizëm.

Nëna kujton se e bija përdorte edhe pushimin e drekës për të qëndruar me ta, për t’i ndihmuar të ushqeheshin apo thjesht për të luajtur së bashku.

Telefonata që rezultoi e fundit

Pak përpara vrasjes, Colleen kishte komunikuar me nënën e saj në Florida.

Biseda nuk zgjati shumë, pasi lidhja telefonike ishte e dobët. Martinez tentoi ta kontaktonte përsëri të bijën, por këtë herë nuk mori përgjigje.

Do të ishte komunikimi i tyre i fundit.

Edhe për Phil Keith, ish-shefin e policisë së Knoxville, hetimi i vrasjes së 19-vjeçares mbetet një prej atyre rasteve që nuk është fshirë nga kujtesa.

“Kam parë shumë gjëra dhe ato janë ngulitur në trurin dhe kujtesën time. Nuk do t’i harroj kurrë”, është shprehur ai.

Nëna udhëtoi për ekzekutimin, por gjithçka mori një kthesë tjetër

Kur erdhi dita e planifikuar për ekzekutimin e Pike, May Martinez dhe bashkëshorti i saj udhëtuan nga Florida drejt Nashville-s.

Nëna hyri në ambientin e rezervuar për dëshmitarët duke mbajtur me vete fotografinë e Colleen. Pas më shumë se tri dekadash, ajo mendonte se po shihte fundin e procesit gjyqësor që kishte nisur pas vrasjes së vajzës së saj.

Por procedura nuk përfundoi.

Perdet e dhomës së ekzekutimit u mbyllën dhe dëshmitarëve iu kërkua të largoheshin. Më pas familjarët u informuan se Pike ishte transportuar në spital dhe kishte mbijetuar.

Për Martinez, ky ishte një tjetër zhgënjim në një histori që kishte zgjatur për dekada.

“Besoj se shteti më detyrohet një kërkimfalje të madhe”, deklaroi ajo për WTLV.

“Nuk kalon asnjë ditë pa menduar për të”

Kalimi i viteve nuk e ka zbehur humbjen për familjen Slemmer.

Nëna e Colleen thotë se mendon vazhdimisht për vajzën, ndërsa periudhat e festave mbeten veçanërisht të vështira.

Familja përkujtoi së fundmi edhe ditëlindjen e saj. Nëse jeta e saj nuk do të ishte ndërprerë në janarin e vitit 1995, Colleen sot do të ishte 51 vjeçe.

Pikërisht këtë kërkon të rikthejë në vëmendje nëna e saj: jo vetëm mënyrën se si Colleen vdiq, por mbi të gjitha mënyrën se si ajo jetoi.

Për familjen, historia nuk duhet të përfundojë me emrin e Christa Pike apo me debatin për ekzekutimin e saj. Ata duan që në qendër të mbetet 19-vjeçarja që u largua nga shtëpia për të studiuar teknologji, që punonte vullnetarisht me fëmijët dhe që kishte përpara një jetë të tërë për të ndërtuar.