Të paktën 28 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu një fabrikë këpucësh në qytetin Jinjiang, në provincën Fujian të Kinës.
Sipas autoriteteve kineze, flakët shpërthyen rreth mesditës në fabrikën “Huiteng Footwear”, në një kohë kur brenda ndërtesës ndodheshin rreth 240 punonjës. Ekipet e emergjencës arritën të evakuonin 213 persona, ndërsa dy prej të plagosurve humbën jetën në spital. Pas shuarjes së zjarrit, 26 punonjës të tjerë që rezultonin të zhdukur u gjetën pa shenja jete, duke e çuar bilancin e viktimave në 28.
Pamjet e publikuara nga mediat shtetërore tregojnë shtëllunga të mëdha tymi të zi që mbulonin fabrikën, ndërsa disa punonjës mbetën të bllokuar në çati në pritje të shpëtimit. Mbi 500 zjarrfikës dhe efektivë të shërbimeve të emergjencës u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e të mbijetuarve.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të ketë nisur në katin përdhes të godinës, ku ruheshin materiale të ndezshme. Autoritetet kanë ndaluar disa persona të lidhur me administrimin e fabrikës dhe kanë bllokuar llogaritë bankare të kompanisë deri në përfundimin e hetimeve.
Presidenti Xi Jinping e cilësoi ngjarjen një tragjedi të rëndë dhe kërkoi hetim të plotë për zbardhjen e përgjegjësive. Ai u bëri thirrje autoriteteve të forcojnë kontrollet dhe masat e sigurisë në objektet industriale për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Qyteti Jinjiang konsiderohet një nga qendrat më të mëdha të prodhimit të këpucëve në Kinë, duke prodhuar rreth 20 për qind të këpucëve sportive në tregun botëror.
