Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Selanik të Greqisë, ku një 67-vjeçar është vrarë nga djali i tij 30 vjeç, pas një konflikti të ashpër në banesën e familjes.
Mediat vendase shkruajnë se, 30-vjeçari dyshohet se e ka goditur të atin me kaçavidë dhe stol, duke i shkaktuar plagë fatale. I riu është arrestuar nga policia dhe ndaj tij është ngritur procedurë penale për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të ligjit për substancat narkotike.
Autoritetet përkatëse kanë njoftuar se, 67-vjeçari është gjetur i pajetë brenda në banesë, me plagë që sipas hetimeve, janë shkaktuar nga djali i tij.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një thikë dhe një kaçavidë, të cilat do të ekzaminohen në laborator, si dhe dy kuti me tableta narkotike pa recetë mjekësore. Në vend ka mbërritur mjeku ligjor dhe ekipi i policisë kriminale të Greqisë veriore.
I arrestuari pritet të dalë para autoriteteve gjyqësore. Ngjarja është zbardhur pasi motra e 30-vjeçarit shkoi në banesën e familjes për të kërkuar të atin.
Ajo e gjeti 67-vjeçarin të pajetë në katin e poshtëm të shtëpisë dhe më pas gjeti vëllain duke fjetur në dhomën e tij. Kur i tha se babai i tyre kishte vdekur, ai dyshohet se i ka pranuar se e kishte vrarë pas një sherri.


