Valët e përsëritura të të nxehtit që kanë përfshirë Europën gjatë muajve të fundit dyshohet se kanë shkaktuar rreth 35 mijë vdekje më shumë sesa pritej në kushte normale.
Bilanci paraprak mbështetet në të dhënat e mbledhura nga pjesa më e madhe e kontinentit. Vetëm në Gjermani, Spanjë dhe Francë, tre prej vendeve më të populluara europiane, numri i vdekjeve shtesë ka kaluar kufirin e 25 mijë personave.
Ekspertët paralajmërojnë se shifrat përfundimtare mund të jenë dukshëm më të larta. Të dhënat e muajit gusht ende nuk janë përpunuar plotësisht, ndaj përmasat reale të pasojave pritet të bëhen më të qarta gjatë javëve në vijim.
Europa Perëndimore është përballur që prej muajit maj me disa episode të njëpasnjëshme temperaturash ekstreme. Qindra stacione meteorologjike kanë regjistruar vlera të paprecedenta, ndërsa në Francë është shënuar temperatura mesatare kombëtare më e lartë që prej fillimit të matjeve.
Situata ka qenë gjithashtu alarmante në Gjermani. Në fund të qershorit, rekordet u thyen për tri ditë radhazi dhe 46 stacione meteorologjike raportuan temperatura mbi 40 gradë Celsius. Në Spanjë, termometri ka qëndruar për periudha të gjata mbi 42 gradë, duke shtuar rrezikun për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe punonjësit e ekspozuar ndaj diellit.
Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike të nxitura nga aktiviteti njerëzor po ndikojnë drejtpërdrejt në shpeshtësinë, kohëzgjatjen dhe intensitetin e valëve të të nxehtit. Temperaturat ekstreme, që dikur konsideroheshin ngjarje të rralla, po shndërrohen gradualisht në një kërcënim të përsëritur.
Alarmin për përkeqësimin e situatës klimatike e ka dhënë edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ai paralajmëroi se fenomeni “Super El Niño” mund të marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke e çuar planetin drejt kushteve klimatike të papërjetuara më parë.
“Shkenca nuk lë vend për dyshime. Planeti po hyn në një territor të panjohur. Temperaturat vazhdojnë të rriten dhe bota ndodhet në zonën e rrezikut për shkak të kushteve ekstreme të motit”, deklaroi Guterres.
El Niño është një fenomen klimatik periodik, i cili karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në Paqësorin ekuatorial, pranë brigjeve të Amerikës së Jugut. Ndryshimet që shkakton në qarkullimin atmosferik ndikojnë më pas te temperaturat dhe reshjet në shumë rajone të botës.
Organizata Botërore Meteorologjike parashikon që episodi aktual të jetë veçanërisht i fuqishëm. Sipas vlerësimeve të saj, ekziston një mundësi pothuajse 100 për qind që fenomeni të vazhdojë të ndikojë në klimën globale të paktën deri në muajin shkurt.
