Një 36-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj në Vergiate, në provincën e Vareses, Itali, me disa plagë të shkaktuara nga goditjet me thikë. Për vrasjen dyshohet partneri i saj, Marco Panichi, 53 vjeç, i cili është dorëzuar te karabinierët.
Sipas të dhënave paraprake, 53-vjeçari u paraqit në orët e vona të mbrëmjes në një kazermë të karabinierëve në Avezzano, ku deklaroi se kishte vrarë partneren pas një konflikti mes tyre.
Pas këtij njoftimi, efektivët shkuan në adresën e treguar prej tij. Brenda banesës, në dyshemenë e dhomës së gjumit, ata gjetën trupin e pajetë të gruas. Nga këqyrja paraprake e mjekut ligjor rezultoi se viktima kishte disa plagë në trup dhe në qafë. Pranë saj u gjet edhe një thikë kuzhine, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Gjatë marrjes në pyetje, Panichi pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke deklaruar se partnerja e tij e kishte sulmuar me thikë.
Edhe avokati i tij mbështeti këtë version, duke pohuar se konflikti kishte nisur për shkak të xhelozisë së gruas. Sipas mbrojtjes, 53-vjeçari kishte pësuar dëmtime gjatë përplasjes, përfshirë një plagë të thellë në krahun e majtë dhe lëndime në dorën e djathtë.
Avokati deklaroi gjithashtu se klienti i tij ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes, nga frika, dhe kishte shkuar te babai i tij, përpara se të vendoste të dorëzohej në polici. Këto pretendime mbeten për t’u verifikuar nga hetuesit.
Panichi është ndaluar nga autoritetet gjyqësore në Avezzano, në bashkëpunim me Prokurorinë e Busto Arsizios, e cila po heton rrethanat e vrasjes.
Ndërkohë, trupi i 36-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Pavia, ku do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes. Hetimet vijojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të verifikuar versionin e të dyshuarit.
