Familja e një 39-vjeçareje që u përplas në një incident të tmerrshëm me makinë, ka bërë një homazh prekës.
Policia ishte njoftuar për një aksident me dy automjete dhe kur mbërriti në autostradën A19 në Holystone, Northumberland, e gjeti Claire Laybourne me lëndime të rënda.
Shërbimet e urgjencës e çuan me nxitim në spital për t’a shpëtuar, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, Claire vdiq pak kohë më vonë.
Aksidenti i rëndë ka ndodhur më 5 dhjetor dhe policia vijon ende hetimet si dhe thuhet se tre persona janë arrestuar në lidhje me incidentin.
E teksa kanë kaluar pak ditë nga kjo ngjarje tronditëse, të dashurit e 39-vjeçares kanë bërë një deklaratë duke reflektuar mbi “shpirtin e bukur” që ajo ishte.
Në një deklaratë të lëshuar përmes policisë, familja e Claire tha:
“Ajo ishte një shpirt i bukur, mirësia, ngrohtësia dhe forca e butë e së cilës preku këdo që takonte. Ajo ishte një nënë e jashtëzakonshme, një partnere e përkushtuar, një vajzë e dashur, një teze e dashur dhe një mike besnike.
Prania e saj ndriçonte çdo dhomë nga dashuria e saj. Ajo e mbante familjen tonë të bashkuar. Zemrat tona janë të thyera dhe jetët tona kanë ndryshuar përtej çdo gjëje që mund t’a kishim imagjinuar. Do të na mungojë përtej asaj që fjalët mund të përshkruajnë”.
Deklarata përfundoi:
“Kujtimi i Claire do të jetojë përgjithmonë në të gjithë ne që ishim të bekuar t’a njihnim. U prehtë në paqe dhe e mbajmë shpirtin e saj pranë ndërsa udhëtojmë në botë pa të”.
Ndërkohë policia e Northumbria konfirmoi se u thirr në vendngjarje të premten kur morën raportime se një “Volkswagen T-Roc” dhe një “Skoda Fabia” ishin përplasur në rrugë. Kur oficerët mbërritën në vendngjarje, ata gjetën “Skodën”, por shoferi ishte larguar në këmbë, sipas gazetës Sun.
39-vjeçarja u dërgua me urgjencë në spital, por u shpall e vdekur të shtunën, më 6 dhjetor, duke lënë familjen dhe miqtë e saj me zemër të thyer. Ndërkohë në lidhje me aksidentin janë arrestuar tre burra të moshës 20 dhe 30 vjeç. Që të tre janë liruar me kusht, ndërsa oficerët po punojnë për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes.



