Situata epidemiologjike në Shkup është rënduar pas shtimit të ndjeshëm të infektimeve me virusin e Nilit Perëndimor. Deri tani autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 35 raste, ndërsa katër persona kanë humbur jetën.
Pjesa më e madhe e infektimeve është përqendruar në rajonin e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut. Grupmosha më e prekur rezulton ajo mbi 60 vjeç, e cila është gjithashtu më e ekspozuar ndaj komplikacioneve serioze të sëmundjes.
Gjendja e disa pacientëve ka kërkuar trajtim të specializuar, pasi infeksioni ka prekurur sistemin nervor. Mes komplikacioneve të konstatuara janë encefaliti dhe meningjiti, dy prej formave më të rënda që mund të shkaktojë virusi.
Një pjesë e të prekurve ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Klinikën Universitare të Sëmundjeve Infektive në Shkup, ndërsa pacientët me gjendje më të rënduar janë trajtuar në njësitë e kujdesit intensiv.
Përhapja e shpejtë e infeksionit ka detyruar autoritetet të rrisin nivelin e reagimit. Në disa komuna të Shkupit është shpallur gjendje epidemie dhe janë intensifikuar ndërhyrjet për reduktimin e popullatës së mushkonjave, të cilat janë transmetuesit kryesorë të virusit te njerëzit.
Paralelisht është shtuar edhe mbikëqyrja epidemiologjike, me synimin për identifikimin sa më të hershëm të rasteve të reja dhe monitorimin e zonave ku rreziku i transmetimit konsiderohet më i lartë.
Shifrat tregojnë se situata është përkeqësuar ndjeshëm brenda një periudhe të shkurtër. Në fund të korrikut numëroheshin vetëm tetë të infektuar, ndërsa brenda pak javësh bilanci ka arritur në 35 raste.
Përmasat e përhapjes e bëjnë shpërthimin e këtij viti një nga episodet më serioze të virusit të Nilit Perëndimor në vend që prej vitit 2011, kur nisën të regjistroheshin rastet e para.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë mbrëmjes, kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë. Rekomandohet përdorimi i produkteve kundër pickimit të insekteve dhe kufizimi, kur është e mundur, i qëndrimit për periudha të gjata në ambiente të hapura gjatë orëve me rrezik më të lartë.
Një tjetër masë e rëndësishme është eliminimi i ujit të ndenjur pranë banesave. Qytetarëve u kërkohet të kontrollojnë oborret, ballkonet, vazot dhe enët e tjera ku mund të grumbullohet ujë, pasi këto vende krijojnë kushte të favorshme për shumimin e mushkonjave.
