Kryeministri indian Narendra Modi dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan një takim të pazakontë në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kinë, ku kaluan rreth 45 minuta duke biseduar brenda makinës së Putinit. Pas takimit, Modi publikoi një foto të momentit, duke e shoqëruar me fjalë të ngrohta për homologun e tij rus.
“Ata u ndjenë sikur ishin në shtëpi dhe vazhduan bisedën me shumë rehati,” deklaroi zëdhënësi i Kremlinit.
Takimi erdhi pas një përqafimi të dy udhëheqësve, nën vështrimin e presidentit kinez Xi Jinping, i cili priti liderët për samitin që shihet si një kundërpeshë ndaj ndikimit global të SHBA-ve dhe politikave të presidentit Donald Trump.
Sfidat ekonomike dhe presioni amerikan
SHBA ka vendosur tarifa të rënda prej 50% ndaj mallrave indiane, në shenjë ndëshkimi për vazhdimin e blerjeve të naftës dhe armëve ruse nga Delhi. Për më tepër, transaksionet me Moskën i nënshtrohen një gjobë shtesë prej 25%, pasi konsiderohen burim i rëndësishëm fondesh për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Megjithatë, India nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të heqë dorë nga marrëdhëniet e saj ekonomike me Rusinë, duke e vendosur partneritetin me Putinin në qendër të politikës së saj të jashtme. Ky qëndrim shihet si një reagim i heshtur ndaj presionit të Trump, edhe pse deri pak kohë më parë SHBA ishte partneri më i madh tregtar i Indisë.
Ultimatumet e Trump dhe qëndrimi i Putinit
Nga ana tjetër, Trump i ka dhënë Putinit një afat disa javor për të pranuar negociata paqeje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky – ultimatum i fundit në një seri kërcënimesh të ngjashme që Kremlini i ka injoruar vazhdimisht. Rusia ka përsëritur se nuk ka plane për një takim të tillë.
Duke folur në samitin e Tianjinit, Putin falënderoi Kinën dhe Indinë për mbështetjen dhe përpjekjet për të lehtësuar një zgjidhje të krizës në Ukrainë. Ai përmendi gjithashtu “marrëveshjet e arritura” me Trump gjatë takimit të muajit të kaluar në Alaska, duke shprehur shpresën se ato mund të hapin rrugën për paqe.
Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, ndërsa Trump ka deklaruar disa herë se, nëse do të kishte vullnet politik, ai mund ta zgjidhte konfliktin “brenda një dite”.