Një studim i fundit hedh alarmin për pasojat që mund të sjellë rritja e vazhdueshme e popullsisë globale, duke paralajmëruar sfida serioze për të ardhmen e planetit.
Kërkimi i realizuar nga Flinders University thekson se Toka ka kohë që po përballet me kufij natyrorë, të cilët sipas studiuesve, tashmë janë tejkaluar në disa aspekte.
Aktualisht, popullsia botërore ka kaluar mbi 8.3 miliardë banorë dhe projeksionet tregojnë se ajo mund të vijojë të rritet në dekadat e ardhshme. Studiuesit parashikojnë se numri i njerëzve mund të arrijë deri në rreth 12 miliardë, përpara se të nisë një rënie graduale.
Sipas analizës, për shumë vite ka ekzistuar një ekuilibër mes rritjes së popullsisë dhe burimeve natyrore, por ky balancë është prishur që nga gjysma e dytë e shekullit XX. Zhvillimi industrial dhe rritja e konsumit kanë ushtruar presion të madh mbi mjedisin.
Një ndikim të rëndësishëm në këtë proces kanë pasur lëndët djegëse fosile, si nafta dhe gazi, të cilat kanë rritur ndjeshëm prodhimin e ushqimit dhe energjisë, duke krijuar perceptimin se burimet janë të pakufizuara.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se në realitet burimet e planetit janë të kufizuara dhe kërkojnë menaxhim më të kujdesshëm. Sipas tyre, një nivel më i ulët i popullsisë globale do të ishte më i qëndrueshëm për të ruajtur balancën me natyrën dhe për të garantuar një standard të mirë jetese.
Nga ana tjetër, disa ekspertë kundërshtojnë këtë qasje, duke argumentuar se Toka mund të përballojë një popullsi më të madhe, nëse burimet menaxhohen në mënyrë më efikase dhe të qëndrueshme.
