Pesë persona janë arrestuar në Britani pranë bazës ajrore RAF Fairford, në Gloucestershire, ku operon edhe Forca Ajrore e SHBA-së. Të arrestuarit dyshohen për shkelje të legjislacionit mbi eksplozivët dhe për përgatitjen e një akti terrorist.

Alarmi u ngrit rreth orës 00:45 të së dielës, pasi autoritetet morën raportime për tre automjete të dyshimta që po lëviznin në drejtim të bazës. Pesë burrat u ndaluan nga policia e armatosur në zonën e Whelford.

Në vendngjarje mbërriti edhe një ekip i specializuar për çaktivizimin e eksplozivëve, ndërsa rreth 85 familje u evakuuan si masë paraprake. Autoritetet kanë deklaruar se situata është nën kontroll, por hetimi vijon.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se të dyshuarit ishin mbajtur nën vëzhgim prej një kohe dhe pretendoi se ata po përgatiteshin të shkaktonin “dëme të mëdha” në bazën amerikane. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes autoriteteve amerikane dhe britanike.

Megjithatë, autoritetet britanike nuk kanë konfirmuar ende motivin e të arrestuarve, objektivin konkret të dyshuar apo ndonjë lidhje të tyre me Iranin.