Marka zvicerane e orëve luksoze Vacheron Constantin ka prezantuar Berkley Grand Complication, e cilësuar si ora mekanike më e ndërlikuar e krijuar ndonjëherë, me plot 63 komplikime (funksione mekanike).
Kjo kryevepër e orologjisë është zhvilluar gjatë 11 viteve nga tre mjeshtër orëndreqës, ndërsa vetëm montimi përfundimtar i mekanizmit ka zgjatur një vit.
Ora përbëhet nga 2.877 pjesë, përfshin 245 gurë të çmuar dhe peshon rreth 980 gramë, duke u renditur mes krijimeve më komplekse të industrisë së orëve luksoze.
Një nga veçoritë më të spikatura është kalendari tradicional kinez i përhershëm, i projektuar të funksionojë deri në vitin 2200. Krahas tij, Berkley Grand Complication ofron edhe kalendarin gregorian, fazat e Hënës, tregues astronomikë, zona kohore dhe një sërë mekanizmash të avancuar për matjen e kohës.
E projektuar si një orë xhepi me dy faqe, ajo përfshin gjithashtu një tourbillon me tre akse, një nga mekanizmat më të rrallë dhe më të vështirë për t’u realizuar në botën e orologjisë.
Berkley Grand Complication është krijuar me porosi për një koleksionist privat, i cili ka zgjedhur që ora të mbajë emrin e tij. Edhe pse çmimi nuk është bërë publik, ekspertët vlerësojnë se vlera e saj arrin në disa milionë dollarë.
Me këtë model, Vacheron Constantin ka thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga modeli Reference 57260, i cili kishte 57 komplikime, duke vendosur një standard të ri në botën e orëve mekanike.
