Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, i ka bërë thirrje ditën e sotme popullit të Ukrainës që të “mbrojnë të ardhmen e tyre”.

Duke folur për CNN, Klitschko tha se Kievi do të kishte burime të mjaftueshme për të zgjatur një ose dy javë nëse trupat ruse do të arrinin të rrethonin kryeqytetin, ku së fundmi ai ka vizituar postet mbrojtëse të ushtrisë ukrainase.

”U them njerëzve që nuk dorëzohemi kurrë, sepse është toka jonë, është qyteti ynë, është familja jonë. Ne mbrojmë të ardhmen tonë. Arsyeja e luftës, nga pala ruse, në fakt është e pakuptimtë. Arsyeja pse Putini e bën këtë luftë është sepse ne duam të jemi një vend demokratik evropian dhe Putin dëshiron të rindërtojë perandorinë ruse”,-tha Klitschko.

“Pa Ukrainën është e vështirë të bëhet. Është ëndrra e tij për të rindërtuar Bashkimin Sovjetik. Ne ishim në BRSS dhe nuk duam të kthehemi në BRSS”, vazhdoi ai.

Të mërkurën, ushtria ukrainase ra dakord për një armëpushim të ri 12-orësh me Rusinë për të lejuar civilët të largohen përmes korridoreve të evakuimit nga disa qytete.