Donald Trump deklaroi se është ende herët për të folur për negociata të drejtpërdrejta paqeje mes SHBA dhe Iranit.

Kjo pavarësisht raportimeve se të dyja palët po afrohen drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit 67-ditor.

Në një prononcim për mediat amerikane, Trump minimizoi zërat për një raund të ri bisedimesh në Islamabad, duke thënë se procesi është ende larg finalizimit.

“Mendoj se jemi ende shumë larg,” u shpreh presidenti amerikan, duke lënë të kuptohet se nuk ka ende kushte për një takim formal mes palëve.

Pak më herët, Trump publikoi një mesazh në platformën Truth Social, ku paralajmëroi se nëse Irani pranon kushtet e propozuara, tensionet mund të marrin fund dhe Ngushtica e Hormuzit të rihapet plotësisht për lundrimin ndërkombëtar.

Megjithatë, ai paralajmëroi se në rast refuzimi nga Teherani, operacionet ushtarake mund të rifillojnë me intensitet edhe më të lartë.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, administrata amerikane dhe autoritetet iraniane po diskutojnë një draft paraprak që përfshin kufizime mbi programin bërthamor iranian, lehtësim të sanksioneve amerikane dhe zhbllokim të fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.

Në paketën e propozuar përfshihet edhe heqja e kufizimeve për kalimin e anijeve në Strait of Hormuz, zonë strategjike që ka qenë në qendër të krizës së fundit energjetike globale.

Burime diplomatike bëjnë me dije se disa variante të marrëveshjes janë ende në diskutim dhe nuk është vendosur ende versioni përfundimtar që mund të pranohet nga të dyja palët.

Trump ka deklaruar më herët se nuk mbështet një moratorium të përkohshëm për pasurimin e uraniumit nga Irani, por kërkon që Teheranit t’i hiqet përfundimisht mundësia për të zhvilluar këtë aktivitet.

Zhvillimet vijnë pasi presidenti amerikan pezulloi operacionin “Project Liberty”, përmes të cilit marina amerikane shoqëronte anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas raportimeve, vendimi erdhi pas kërkesave nga Pakistan dhe Arabia Saudite, të cilat besohet se po luajnë rol ndërmjetësues për uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit./NewYorkPost