Kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov do të zhvillojë këtë të enjte takime me zyrtarë amerikanë në Florida, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.
Lajmi u konfirmua nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili bëri të ditur se Umerov do të takohet me përfaqësues të administratës amerikane për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë dhe negociatave me Moskën.
Sipas Zelenskyyt, në qendër të diskutimeve do të jenë mundësia e një shkëmbimi të ri të të burgosurve me Rusinë, garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës, si dhe bashkëpunimi teknologjik dhe marrëveshjet për dronët me partnerët perëndimorë.
Bisedimet për paqen, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, kanë mbetur prej muajsh pa progres konkret, ndërsa vëmendja ndërkombëtare u zhvendos te tensionet dhe konflikti me Iranin.
Umerov ishte takuar më herët në mars me të dërguarin special amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në një tjetër raund diskutimesh në Florida.
Ndërkohë, mosmarrëveshjet mes Ukrainës dhe Rusisë mbeten të thella, veçanërisht për çështjen territoriale. Kievi ka propozuar ngrirjen e konfliktit sipas vijës aktuale të frontit, por Moska kërkon kontroll të plotë mbi rajonin e Donetsk, kërkesë që pala ukrainase e konsideron të papranueshme.
