Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Huyton, Merseyside të Anglisë, ku një 32-vjeçare është therur për vdekje nga i dashuri i saj, vetëm disa minuta pasi kishte biseduar me një shoqe në telefon.

“Daily Mail” shkruan se Rebekah Campbell u gjet e mbuluar me gjak jashtë apartamentit të saj më 15 prill të këtij viti, pasi ishte goditur me thikë plot 18 herë nga 34-vjeçari, Michael Ormandy, i cili tani po përballet me akuzën për vrasje në Gjykatën e Kurorës në Liverpool.

Sipas prokurorisë, viktima kishte bërtitur ‘më kanë therur’ dhe ‘i dashuri im më ka therur’, ndërsa fqinjët nxituan që t’a ndihmonin. Kur u fut në ambulancë, ajo e tronditur ka pyetur një polic:

“A do të vdes?”.

“Je e plagosur, por je në vendin më të mirë tani”, i është përgjigjur ai për t’a qetësuar.

Por fatkeqësisht, Rebekah ndërroi jetë disa orë më vonë në spitalin Aintree, në orën 12:46 pas mesnate.

Hetimet tregojnë se çifti kishte një marrëdhënie të trazuar që kishte zgjatur vetëm katër muaj. Miqtë e saj dëshmuan se Rebekah ishte gati t’a përfundonte lidhjen, pasi Ormandy ishte bërë agresiv dhe xheloz, shpesh duke e fyer në publik.

Vetëm disa ditë para vrasjes, ata ishin përfshirë në dy sherre gjatë një nate me alkool në qendër të Liverpoolit. Dëshmitarët thanë se Ormandy e kishte goditur në fytyrë pas një grindjeje.

Ndërkohë në natën tragjike, ndërsa fliste me mikeshën e saj, Faye Henderson, Rebekah kishte thënë me zë të lartë “Ik, Mick, dil jashtë!”, para se të dëgjohej një zhurmë e fortë dhe lehje qensh në sfond. Pas kësaj, telefoni u mbyll.

Rreth 15 minuta më vonë, Henderson mbërriti në vendngjarje dhe e gjeti shoqen e saj të shtrirë në tokë, me plagë të shumta me thikë.

Policia arrestoi Ormandy vetëm gjashtë minuta para se Rebekah të shpallej e vdekur. Ai u ndalua fillimisht për tentativë vrasjeje, ndërsa më vonë akuza u ngrit në vrasje me dashje.

Gjatë marrjes në pyetje, Ormandy pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke thënë se edhe më herët Rebekah e kishte goditur e para. Megjithatë, prokuroria e përshkroi ngjarjen si një sulm brutal dhe të qëllimshëm, duke theksuar se viktima ishte therur “shumë, shumë herë” në apartamentin e saj.

Procesi gjyqësor ndaj Ormandy vazhdon në Liverpool.