Donald Trump ka nënshkruar një projektligj të ri që kërkon nga Departamenti i Drejtësisë të publikojë të gjitha dokumentet e paklasifikuara që lidhen me Jeffery Epstein. Ky ligj u miratua me mbështetje të gjerë në Kongres, ku në Dhomën e Përfaqësuesve u regjistruan 427 vota pro dhe vetëm një kundër, ndërsa Senati e miratoi çështjen me konsensus të plotë.

Ky veprim vjen pas një përpjekjeje politike për të sjellë më shumë transparencë rreth skandalit që ka tronditur Shtetet e Bashkuara. Ligjvënës të rëndësishëm, përfshirë republikanin Thomas Massie dhe demokratin Ro Khanna, kërkuan që Trump të lejonte publikimin e dokumenteve, duke argumentuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën e plotë lidhur me këtë çështje.

Massie theksoi se Trump mund ta kishte bërë këtë pa nevojën për një votim në Kongres, por tani që ligji është miratuar, presidenti e ka falenderuar për mbështetjen. Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se nuk ka “asgjë për të fshehur” dhe akuzoi disa figura të njohura politike demokrate, si Bill Clinton, Hakeem Jeffries dhe Stacey Plaskett, se ishin të lidhur me Epstein. Ai shtoi se Epstein kishte lidhje të forta me shumë prej tyre dhe nënshkrimi i ligjit ishte një hap për drejtësi dhe transparencë.

Dokumentet që pritet të publikohen përfshijnë raportime dhe dosje që mund të hedhin dritë mbi aktivitetet e Epstein dhe lidhjet e tij me individë të njohur.