Kanadaja ka humbur statusin e eliminimit të fruthit, tha të hënën Organizata Pan-Amerikane e Shëndetësisë (Paho), pasi dështoi të frenonte një shpërthim të virusit për 12 muaj rresht.

Sipas mediave të huaja, meqenëse Kanadaja nuk konsiderohet më pa fruth, rajoni i Amerikës në tërësi e ka humbur statusin e eliminimit, megjithëse individualisht vendet e tjera ende konsiderohen se e kanë zhdukur sëmundjen.

Megjithatë, SHBA-të rrezikojnë të humbasin statusin e tyre nëse nuk ndalojnë një shpërthim të vazhdueshëm deri në janar. Raste të ngjashme janë raportuar tani në Utah, Arizona dhe Karolinën e Jugut, shkruan A2 CNN.

Shpërthimi në Kanada filloi tetorin e kaluar, me zyrtarët e shëndetësisë që ia atribuojnë atë numrit më të vogël të njerëzve që vaksinohen kundër fruthit.

Në një konferencë për shtyp të hënën, zyrtarët e Paho-s u bënë thirrje qeverive kanadeze dhe publikut që të rrisin vaksinimin, duke vënë në dukje se 95% e popullsisë duhet të imunizohet për të ndaluar përhapjen e fruthit.

“Kjo humbje përfaqëson një pengesë, por është gjithashtu e kthyeshme”, tha Dr Jarbas Barbosa, drejtori i organizatës shëndetësore.