HPV shpesh konsiderohet një temë tabu. Edhe pse shumica prej nesh do të ekspozohen ndaj papillomavirusit njerëzor (HPV) në një moment të jetës sonë, ai mbetet gjerësisht i keqkuptuar.

Marrja e një rezultati pozitiv të HPV-së mund të jetë shqetësuese dhe konfuze, megjithatë lidhja midis HPV-së dhe kancerit të qafës së mitrës, është më e nuancuar nga sa e kuptojnë shumë njerëz.

Ne folëm me Adeola Olaitan, një onkologe gjinekologjike konsulente, e cila shpjegoi se çfarë është HPV, si lidhet ai me kancerin e qafës së mitrës dhe trajtoi disa mite të zakonshme rreth kësaj teme.

Çfarë është HPV?

“HPV është një familje virusesh që infektojnë lëkurën dhe indet mukozale”, shpjegon Olaitan. “Ekzistojnë nëntipe të ndryshme të HPV-së, të cilat shënohen me numra.”

Sipas faqes së internetit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) të Mbretërisë së Bashkuar, mund të infektoheni me HPV nga çdo kontakt lëkurë me lëkurë në zonën gjenitale, seks vaginal, anal ose oral, ose përmes ndarjes së lodrave seksuale.

Shumicën e kohës HPV nuk shkakton probleme, thekson mjekja onkologe gjinekologe.

«Në shumicën e rasteve, HPV është një gjendje kalimtare dhe e padëmshme, dhe shumica e njerëzve e kalojnë atë pa e ditur fare se e kanë pasur», thotë Olaitan. «Zakonisht do të zhduket natyrshëm brenda dy vitesh».

Cili është keqkuptimi më i madh në lidhje me HPV-në?

«Mendoj se keqkuptimi më i madh në lidhje me HPV-në, është stigma që e rrethon», thotë Olaitan.

“Meqenëse është një infeksion i lidhur seksualisht, njerëzit mendojnë se ka konotacione të imoralitetit, gjë që nuk është kështu. Mund të bësh seks një herë dhe të infektohesh me HPV.”

Cilat lloje të HPV mund të rrisin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës?

Sipas The Eve Appeal, ekzistojnë mbi 200 lloje të HPV-së dhe ato ndahen në dy grupe: HPV me rrezik të ulët dhe HPV me rrezik të lartë.

Rreth 14 lloje të HPV-së, konsiderohen me rrezik të lartë për kancerin e qafës së mitrës dhe dy prej këtyre llojeve (HPV 16 dhe HPV 18) shkaktojnë rreth 70 nga 100 (70%) të të gjitha rasteve të kancerit të qafës së mitrës, sipas Cancer Research UK.

“HPV 16 dhe HPV 18 mund të infektojnë qafën e mitrës dhe, nëse infeksioni vazhdon, ato mund të rrisin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës”, shpjegon Olaitan.

Si mund ta zbuloni nëse keni HPV?

“Zakonisht nuk ka simptoma të HPV-së, kështu që nëse nuk shkoni në një kontroll për kancerin e qafës së mitrës, nuk do ta dini që e keni atë”, thotë Olaitan. “Njohuria nëse keni HPV apo jo është e rëndësishme vetëm sepse i identifikon njerëzit si persona me një rrezik më të madh për të pasur qeliza anormale, të cilat nëse lihen të pazbuluara ose të patrajtuara mund të rrisin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës.”

Sipas faqes së internetit të NHS, çdo person me cerviks, duhet të ftohet për kontroll çdo pesë vjet nga mosha 25 deri në 64 vjeç.

Gjithashtu thuhet se gjatë takimit të kontrollit, një mostër e vogël qelizash merret nga qafa e mitrës dhe mostra kontrollohet për lloje HPV me rrezik të lartë, që mund të shkaktojnë ndryshime në qelizat e qafës së mitrës.

“Nëse shqyrtimi fillestar gjen HPV me risk të lartë, një test citologjik refleks do të kryhet në të njëjtën mostër për të kërkuar qeliza anormale”, shpjegon Olaitan. “Nëse kjo nuk gjen qeliza anormale, do t’ju thuhet të ktheheni për një shqyrtim në një interval më të shkurtër. Megjithatë, nëse gjenden qeliza anormale, do t’ju referohet për një kolposkopi për të parë më nga afër qafën e mitrës.”

A mund ta mbroni veten nga HPV?

“Vaksina kundër HPV-së është shumë efektive në mbrojtjen e njerëzve kundër HPV-së”, thotë Olaitan. “Zakonisht u jepet fëmijëve të moshës 11 deri në 13 vjeç dhe është e licencuar për moshën 45 vjeç, por është më pak efektive sa më shumë që jeni më të vjetër.”

“Por mund ta keni edhe nëse keni qenë të ekspozuar ndaj HPV-së, ose nëse keni një infeksion aktual HPV, dhe ai jep imunitet që është më i fortë dhe më i qëndrueshëm sesa vetëm imuniteti natyror. Pra, është mirë ta keni, por është më mirë ta keni kur jeni të rinj.”

Cilat janë disa simptoma të kancerit të qafës së mitrës që duhet t’i kushtoni vëmendje?

“Simptomat më të zakonshme të kancerit të qafës së mitrës janë gjakderdhja pas seksit, gjakderdhja midis ciklit, gjakderdhja pas menopauzës ose një rrjedhje vaginale e vazhdueshme dhe e bezdisshme”, thekson Olaitan. “Shumicën e kohës këto simptoma tregojnë gjendje beninje, por është e rëndësishme që ato të mos injorohen dhe të shkoni dhe t’i kontrolloni për të përjashtuar ndonjë gjë më serioze që po ndodh.”

Cila është gjëja më e rëndësishme që njerëzit duhet të dinë rreth HPV-së dhe kancerit të qafës së mitrës?

«Mbani mend se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm dhe njerëzit që bëjnë kontrolle të rregullta nuk kanë gjasa të preken nga kanceri», thotë Olaitan.

“Kontrolli dhe vaksinimi, janë dy nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni për shëndetin tuaj.”/ DPA News.