Vera e vitit 2026 po konfirmohet si një nga më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në Itali, duke iu afruar ose madje duke rrezikuar të thyejë rekordin historik të vitit 2003.
Edhe pse të dhënat përfundimtare do të publikohen vetëm në fund të sezonit, anomalitë e temperaturave janë pothuajse në të njëjtat nivele me ato të 23 viteve më parë.
Sipas fizikanit të atmosferës Lorenzo Giovannini nga Universiteti i Trentos, ajo që dikur konsiderohej një ngjarje e jashtëzakonshme po shndërrohet në normalitet.
Ai thekson se vala e të nxehtit e vitit 2003 ishte e paprecedentë jo vetëm në Itali, por edhe në Francë, ndërsa sot këto temperatura ekstreme po përsëriten gjithnjë e më shpesh.
Një nga zonat më të goditura këtë verë është veriu i Italisë.
Në Val d’Adige, ditët me temperatura mbi 35 gradë Celsius kanë kaluar tashmë dhjetëshen, ndërsa në disa zona kanë arritur mbi 15 ditë, një fenomen që dikur ishte i paimagjinueshëm për rajonet alpine.
Shqetësim të madh po shkaktojnë edhe të ashtuquajturat “netë tropikale”, kur temperatura gjatë natës nuk bie nën 20 gradë Celsius.
Në disa zona bregdetare, si Chioggia në Veneto, temperaturat minimale janë afruar me 30 gradë, duke mos lejuar ftohjen e ndërtesave dhe duke rritur rrezikun për shëndetin e popullsisë.
Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja e Mesdheut ka krijuar një rezervuar të madh energjie.
Kur në vjeshtë masat e para të ajrit të ftohtë të përplasen me ujërat e ngrohta të detit, ekziston rreziku për zhvillimin e stuhive shumë të fuqishme, reshjeve intensive dhe përmbytjeve në pjesë të ndryshme të Italisë.
Megjithëse në ditët në vijim pritet një ndërprerje e shkurtër e vapës me disa stuhi lokale, veçanërisht në Alpet qendrore dhe lindore, parashikimet tregojnë se deri rreth mesit të gushtit anticikloni afrikan do të rikthehet fuqishëm në të gjithë vendin, duke sjellë sërish temperatura shumë të larta.
Sipas Giovanninit, ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit gjithnjë e më të gjata dhe më intensive.
“Është e mundur që vera e vitit 2026 të konsiderohet, në të ardhmen, si “vera më e freskët” e 30 viteve të ardhshme, nëse tendenca aktuale e ngrohjes globale”, përfundoi ai.
