Deklarata e ish-presidentit të SHBA-së, Barack Obama, gjatë një podcast-i, ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, pas përgjigjes së tij “po” në pyetjen se nëse jashtëtokësorët janë të vërtetë. Gjatë intervistës me komentatorin politik Brian Tyler Cohen, Obama u pyet drejtpërdrejt: “A janë të vërtetë jashtëtokësorët?”, dhe ai iu përgjigj: “Janë të vërtetë, por nuk i kam parë”, duke buzëqeshur.
Për të shtuar më shumë mister, Obama shtoi: “Nuk i fshehim në Area 51. Nuk ka ndonjë bazë nëntokësore, përveç nëse ekziston ndonjë komplot gjigant dhe po e fshehin edhe nga vetë presidenti i SHBA-së.”
Gjatë intervistës, Obama u pyet gjithashtu se cila ishte pyetja e tij e parë pasi mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë. Ai iu përgjigj me humor: “Ku janë jashtëtokësorët?”
Pas kësaj buje, Barack Obama reagoi me një deklaratë sqaruese në Instagram, duke thënë se, “Po përpiqesha të ruaja frymën e një ‘raundi të shpejtë’ me pyetje-përgjigje, por meqë kjo çështje mori vëmendje, le ta sqarojmë. Statistikisht, universi është aq i madh sa gjasat që të ketë jetë diku tjetër janë të konsiderueshme. Por distancat mes sistemeve diellore janë aq të mëdha sa gjasat që jashtëtokësorët të na kenë vizituar janë të vogla. Gjatë presidencës sime nuk pashë asnjë provë që ata kanë rënë në kontakt me ne. Vërtet!”
Teoritë e konspiracionit kanë ekzistuar prej vitesh, duke pretenduar se qeveria amerikane fsheh prova për jashtëtokësorët në Area 51, një bazë sekrete e Forcave Ajrore në Nevada. Megjithatë, dokumentet e publikuara në vitin 2013 treguan se kjo zonë është përdorur për testime sekrete të programeve ajrore, përfshirë avionët e mbikëqyrjes U-2 dhe Oxcart, të cilat shkaktuan një rritje të raportimeve për objekte fluturuese të paidentifikuara (UFO). Kjo ka ushqyer më tej misterin që rrethon këtë bazë për shumë vite.
