Shqipëria po hyn fuqishëm në hartën e turizmit ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen e mediave prestigjioze dhe udhëtarëve që kërkojnë përvoja autentike.

Gazetarja amerikane Natalie B. Compton, në një video-vlog të publikuar në “The Washington Post”, e përshkruan vendin tonë si një perlë ende të paprekur nga turizmi masiv, me çmime të përballueshme, natyrë mahnitëse dhe mikpritje tradicionale.

Compton vizitoi Shkodrën, Himarën, bëri kamping në plazhin e Livadhit dhe qëndroi në një agro-turizëm në Berat. Për të, mëngjeset me prodhime lokale, plazhet e qeta dhe atmosfera autentike janë përvoja që nuk gjenden më në destinacionet e mbingarkuara si Italia apo Greqia.

“Shqipëria nuk është një kopje e fqinjëve, por një destinacion më vete. Nuk e krahasoj me Italinë apo Greqinë, por flas për fshatrat, liqenet dhe mëngjeset me djathë të freskët e reçel fiku,” thekson gazetarja.