Një mjet i zakonshëm dhe i pafajshëm po shndërrohet në një metodë moderne vjedhjeje, duke përfituar nga momenti i befasisë së pronarit të një automjeti.

Në një evoluim të vazhdueshëm të teknikave të vjedhjes, bandat kriminale po braktisin metodat e ndërlikuara elektronike dhe po përdorin kurthe shumë të thjeshta dhe të zakonshme që mund të mashtrojnë edhe shoferët më të kujdesshëm. Në veçanti, hajdutët po përdorin një objekt që është gjithmonë i pranishëm në shtëpitë dhe makinat e shumicës së njerëzve: një shishe plastike uji.

Metoda është shumë e thjeshtë, por po aq e efektshme. Sipas raportimeve, hajdutët vendosin një shishe plastike mes rrotës së pasme dhe harkut të gomës. Kur drejtuesi i makinës, pa e kuptuar, ndez automjetin dhe lëviz disa metra, rrota e shtyp shishen, duke krijuar një zhurmë të fortë që tërheq vëmendjen e shoferit.

Në këtë moment, i alarmuar nga tingulli, shoferi del nga makina për të kontrolluar çfarë ka ndodhur me rrotën. Në panik dhe nxitim, ai shpesh harron të marrë çelësat, duke i lënë ata në kontakt. Pikërisht atëherë, grabitësit që e vëzhgojnë ngjarjen nga afër shfrytëzojnë rastin për të hyrë në makinë dhe për të ikur me të.

Ky mashtrim i thjeshtë ka bërë që dhjetëra drejtues automjetesh në Evropë të bien pre e tij, duke detyruar policinë të ngrisë alarmin dhe t’u bëjë thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm.

Rekomandimi i ekspertëve është që para se të hyni në makinë, të kontrolloni gjithmonë vizualisht zonën përreth rrotave dhe pjesën e jashtme të automjetit. Nëse shihni një shishe plastike të futur mes rrotës dhe harkut, njoftoni menjëherë autoritetet, pasi është e mundur që hajdutët të jenë të fshehur në afërsi të vendit.