Bashkimi Evropian (BE) ka nisur të shqyrtojë mundësinë për ta shpallur organizatë terroriste GRU-në, agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake.

Vala e fundit e sulmeve hibride ndaj disa vendeve anëtare të BE-së, shumë prej të cilave ishin drejtpërdrejt ose tërthorazi të lidhura me GRU-në, i ka shtyrë diplomatët dhe juristët e BE-së të shqyrtojnë fillimisht nëse një gjë e tillë është e mundur nga pikëpamja ligjore dhe, më pas, nëse në Bruksel ka vullnet të mjaftueshëm politik për ta ndërmarrë këtë hap.

Ligjshmëria e një mase të tillë po shqyrtohet me kujdes, pasi vendimi i Brukselit, në fillim të janarit, për ta përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në listën e organizatave terroriste përbënte moment historik për BE-në. Deri atëherë, shpallja e organizatave terroriste ishte rezervuar për aktorë të qartë joshtetërorë, si Hamasi ose Al-Kaida.

Përfshirja e IRGC-së në këtë listë, jo vetëm që hapi mundësinë e marrjes së masave kundër një strukture zyrtare të aparatit ushtarak dhe të inteligjencës së një shteti sovran, por edhe e përfshiu konceptin e “terrorizmit të sponsorizuar nga shteti” në kuadrin ligjor të BE-së. Që BE-ja ta shpallë terrorist një subjekt ose organizatë, vendimi duhet të mbështetet në një vendim të mëparshëm gjyqësor në një shtet anëtar të BE-së, ose në një vend të tretë të besueshëm.

Në rastin e IRGC-së, prova vendimtare ligjore ishte vendimi i vitit 2023 i Gjykatës së Lartë Rajonale të Dyseldorfit, sipas të cilit një tentativë për t’i vënë zjarrin një sinagoge në qytetin gjerman, Bohum, një vit më parë, ishte planifikuar dhe kryer shprehimisht nga organizata iraniane.

Sfida

Sfida, e cila po shqyrtohet tani, është nëse ka ndonjë vendim të ngjashëm gjyqësor që përfshin GRU-në. Dhe kjo mund të jetë e ndërlikuar. Deri më tani, shtete të caktuara anëtare kanë ngritur zyrtarisht akuza ndaj oficerëve të GRU-së, shpesh në mungesë të tyre, për vepra, si: spiunazhi ose tentativa për vrasje, por jo për terrorizëm.

Sipas diplomatëve evropianë, prokurorët kombëtarë janë të kufizuar nga përkufizimet teknike të kodeve penale të vendeve të tyre përkatëse. Kjo nënkupton akuza tradicionale penale ose që lidhen me inteligjencën, por jo akuza për terrorizëm.

Si shembull mund të merren shpërthimet e vitit 2014 në depon e municioneve në Republikën Çeke. Prokurorët e vendit identifikuan dy oficerë të GRU-së si përgjegjës, por ligji çek nuk lejon zhvillimin e një gjykimi të plotë penal ose shpalljen e tyre fajtorë, pasi të dyshuarit ndodhen ende në Rusi.

Një rast tjetër është helmimi me agjentin nervor Novichok në Salisberi të Anglisë, në vitin 2018, ku shënjestër ishin ish-agjenti rus Sergei Skripal dhe vajza e tij. Në këtë rast, agjentët e GRU-së, që, rastësisht, ishin të njëjtët si në rastin e Çekisë, u akuzuan në mungesë, por për tentativë vrasjeje dhe përdorim të armëve kimike, jo për terrorizëm.

Por mbase dy mundësitë më premtuese për të ndjekur penalisht GRU-në si organizatë terroriste vijnë nga Lituania.

Rasti i parë lidhet me një incident të vitit 2024, kur pajisje ndezëse ishin planifikuar të vendoseshin në avionë mallrash që do të niseshin drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, por ato morën flakë në magazina në Gjermani, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2025, prokurorët lituanë ngritën aktakuzë për terrorizëm ndaj 15 personave. Megjithatë, këta persona ishin ndërmjetës operativë të rekrutuar nga GRU-ja, dhe jo oficerë të saj. Pyetja që duhet të shqyrtojnë juristët në Bruksel është nëse kjo lidhje është mjaftueshëm e fortë.

Pastaj është procesi gjyqësor që po zhvillohet tani në këtë shtet baltik, ku gjashtë shtetas të huaj akuzohen se kishin planifikuar një sulm me zjarrvënie në shtator të vitit 2024, duke shënjestruar një kompani private të furnizimit ushtarak në qytetin lituan Shiauliai, e cila ofron mbështetje për Ukrainën.

Ashtu si në rastin e parë, këta persona mund të kenë qenë vetëm ndërmjetës, por lidhja e tyre me GRU-në pretendohet të jetë e fortë, çka mund të hapë rrugën për shpalljen e saj organizatë terroriste.

Edhe nëse ekziston një rrugë e qartë ligjore për ta shpallur GRU-në organizatë terroriste në nivel të BE-së, ka prapë pikëpyetje nëse ka vullnet politik për të shkuar kaq larg. Nevojitet njëzëshmëria e 27 shteteve anëtare të BE-së, dhe disa prej tyre mund të argumentojnë se mbajtja hapur e kanaleve diplomatike të komunikimit është thelbësore, pasi Moska mund të hakmerret ndaj një vendimi të tillë duke shënjestruar ambasadat, misionet diplomatike apo edhe qendrat kulturore evropiane që ende funksionojnë në Rusi.

Sipas disa zyrtarëve në Bruksel, fakti që GRU-ja tashmë është nën sanksionet e BE-së, çka nënkupton se asetet e saj në bllok janë të ngrira dhe drejtuesit e saj u nënshtrohen ndalimeve të vizave, duhet të jetë i mjaftueshëm. Por disa shtete anëtare me qëndrime më të ashpra ndaj Rusisë besojnë se kjo nuk mjafton.

Ato theksojnë se shpallja zyrtare e GRU-së si organizatë terroriste do të përfshinte të gjithë institucionin, duke vënë në shënjestër secilin prej oficerëve të tij. Kjo do të mbyllte një boshllëk ligjor që u mundëson individëve të cilët ende nuk janë sanksionuar të udhëtojnë më lehtë drejt BE-së dhe të veprojnë atje.

Një tjetër argument në favor të shpalljes së GRU-së organizatë terroriste është se ky vendim do t’u hapte rrugë prokurorëve dhe forcave policore evropiane të arrestonin dhe dënonin rrjetet vendore të ndërmjetësve, përfshirë shtetas të BE-së, të cilët zakonisht kryejnë sulme hibride në emër të GRU-së.

Kjo do ta lehtësonte gjithashtu lëshimin e fletarrestimeve për terrorizëm në mbarë BE-në, pasi operacionet e GRU-së do të përfshiheshin plotësisht në Qendrën Evropiane Kundër Terrorizmit (ECTC) të Europolit. Po ashtu, do të forcohej gjurmimi i komunikimeve të organizatës dhe i shtëpive të sigurta që ajo përdor brenda bllokut, përmes bashkëpunimit ndërkufitar të shërbimeve të inteligjencës./REL