Menjëherë pas goditjeve të para ushtarake ndaj Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt, ekspertët e energjisë paralajmëruan se tensionet në rajon mund të shtyjnë çmimet e naftës mbi kufirin e 100 dollarëve për fuçi.
Tashmë, më pak se tre javë nga nisja e përplasjes, analistët e tregjeve po diskutojnë gjithnjë e më seriozisht skenarë ku çmimi i arit të zi mund të ngjitet në nivele shumë më të larta, madje deri në 150 apo edhe 200 dollarë për fuçi, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Më 9 mars, nafta Brent, standardi global i referencës, u afrua me nivelin e 120 dollarëve dhe që nga data 13 mars nuk ka rënë më poshtë se pragu i 100 dollarëve. Tensionet u rritën sërish më 18 mars, kur një sulm izraelit ndaj fushës së gazit në Parsin Jugor u pasua nga kundërpërgjigje iraniane ndaj objekteve energjetike në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto zhvillime shtynë çmimet e naftës bruto mbi 108 dollarë për fuçi.
Sipas vlerësimeve të shumicës së analistëve, potenciali për rritje të mëtejshme mbetet i lartë nëse Ngushtica e Hormuzit – rrugë strategjike për rreth 20% të furnizimit global me naftë në kohë paqeje – vazhdon të mbetet e bllokuar në javët në vijim. Debati kryesor mes ekspertëve lidhet jo me faktin nëse çmimet do të rriten, por me nivelin maksimal që mund të arrijnë.
Disa lloje të naftës së prodhuar në Lindjen e Mesme, si ato nga Omani dhe Dubai, kanë kaluar tashmë pragun e 150 dollarëve, duke e bërë skenarin e 200 dollarëve gjithnjë e më të mundshëm, edhe pse kjo nuk reflektohet ende plotësisht në treguesit kryesorë si Brent apo West Texas Intermediate. Sipas analistëve, dinamika e çmimeve do të varet kryesisht nga kohëzgjatja e bllokimit të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
Pas shpalljes së mbylljes së ngushticës nga Irani në fillim të konfliktit dhe kërcënimeve ndaj anijeve që do të tentonin ta kalonin atë, lëvizja e transportit detar në zonë është reduktuar ndjeshëm. Edhe pse disa shtete kanë premtuar të hedhin në treg rreth 400 milionë fuçi nga rezervat strategjike në koordinim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, ekspertët theksojnë se këto masa nuk mund të kompensojnë plotësisht ndikimin që ka ndërprerja e një rruge kaq jetike për furnizimin global me energji.
