Zhvillimet në Rripin e Gazës dhe procesi i anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian ishin në qendër të takimit të sotëm mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz në Pallatin Presidencial të Ankarasë. Takimi u shoqërua me një përplasje të shkurtër mes dy liderëve gjatë deklaratave të përbashkëta për mediat.
Erdogan reagoi duke kritikuar qëndrimin e Gjermanisë ndaj Izraelit dhe luftës në Gazë, madje i këkroi llogari kancelarit Merz.
“Mbi 60 mijë fëmijë, gra dhe të moshuar janë vrarë gjatë këtij procesi. Hamasi nuk ka bomba apo armë bërthamore, por Izraeli i ka të gjitha. Mbrëmë Izraeli bombardoi sërish Gazën. A nuk e shihni këtë në Gjermani? A nuk e shihni se po përpiqen të shkaktojnë urinë dhe gjenocidin e popullit palestinez?”, deklaroi presidenti turk me tone të ashpra.
Nga ana e tij, Merz theksoi se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e Izraelit, por jo domosdoshmërisht çdo vendim të qeverisë izraelite.
“Izraeli ka ushtruar të drejtën e tij për vetëmbrojtje. Një vendim i vetëm mund të kishte shmangur shumë viktima, që Hamasi të dorëzonte armët. Fëmijët në Gaza janë peng të Hamasit. Shpresojmë që kjo të marrë fund,” tha kancelari gjerman.




