35-vjeçarja Alexis Von Yates po vuan një dënim me dy vjet burg në Florida, pasi u shpall fajtore për abuzim seksual ndaj djalit të saj 15-vjeçar.

Rasti u zbulua në korrik të vitit 2024, kur bashkëshorti i saj i gjeti të dy të zhveshur në divanin e shtëpisë.

Infermierja nga Florida pranoi një marrëveshje pranimi fajësie me prokurorët për veprën penale të “aktit të pahijshëm dhe imoral” ndaj një të mituri. Fillimisht, ajo ishte akuzuar për abuzim seksual ndaj një të mituri të moshës 12 deri në 18 vjeç, por akuza u reduktua në kuadër të marrëveshjes gjyqësore.

Sipas raportimeve, përveç dënimit me dy vjet burg, gjykata vendosi edhe dy vjet mbikëqyrje pas lirimit, regjistrimin e saj në regjistrin e abuzuesve seksualë për dhjetë vjet, kryerjen e 200 orëve shërbim komunitar, si dhe pagesën e gjobave dhe shpenzimeve gjyqësore.

Ndërkohë, Departamenti i Shëndetësisë i Floridës i ka revokuar përgjithmonë licencën për të ushtruar profesionin e infermieres. Sipas vendimit përfundimtar të Bordit të Infermierisë, Von Yates nuk i kundërshtoi akuzat gjatë seancës administrative, çka çoi në heqjen përfundimtare të licencës disa muaj pas pezullimit të përkohshëm.

Në zhvillime të tjera, burri i saj ka paraqitur kërkesë për divorc në Gjykatën e Qarkut Marion, duke përmendur ngjarjet që çuan në dënimin penal të bashkëshortes së tij. Çështja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetet lokale të Floridës qendrore.

Prokurorët kanë deklaruar se marrëveshja për një dënim të reduktuar u arrit duke pasur parasysh mbrojtjen mendore dhe emocionale të viktimës së mitur.

Alexis Von Yates mbetet aktualisht e ndaluar në një burg të Floridës, ndërsa pasojat ligjore, profesionale dhe familjare vazhdojnë të rëndojnë mbi të, përtej dënimit penal të dhënë.

Top Channel