Robert Morris, themelues i njërës prej kishave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara dhe ish-këshilltar shpirtëror i Donald Trump, është shpallur fajtor për abuzim seksual ndaj një vajze 12-vjeçare në vitet 1980.
Ngjarja ka ndodhur në shtetin e Oklahomës, ndërsa vendimi i gjykatës u shpall këtë javë.
Morris, tani 64 vjeç dhe me origjinë nga Teksasi, pranoi fajësinë në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorinë. Ai u dënua me 10 vjet burg, por do të vuajë vetëm gjashtë muaj në paraburgim, ndërsa pjesën tjetër të dënimit do ta kalojë nën mbikëqyrje.
Gjithashtu, ai do të regjistrohet si shkelës seksual dhe do të paguajë 250 mijë dollarë dëmshpërblim ndaj viktimës.
Kisha që ai themeloi në vitin 2000, Gateway Church, ka rreth 100 mijë ndjekës dhe është e vendosur kryesisht në Teksas. Në vitin 2016, gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump e përfshiu Morrisin në rrethin e tij të këshilltarëve shpirtërorë.
Akuzat ndaj Morris lidhen me abuzimin e vazhdueshëm seksual ndaj Cindy Klemischer, një vajzë 12-vjeçare në atë kohë, e cila kishte raportuar rastin për herë të parë në vitin 1987. Sipas dëshmisë së saj, Morris, që shërbente si ungjilltar udhëtues dhe banonte përkohësisht me familjen e saj në Oklahoma, e kishte abuzuar për katër vite me radhë.
Cindy Klemischer e denoncoi publikisht Morrisin në vitin 2024, gjë që çoi në dorëheqjen e tij nga drejtimi i Kishës Gateway. Në një deklaratë publike, ai e përshkroi veprimin e tij si “dështim moral” ndaj një “zonjushe të re”, një përshkrim që u cilësua si minimizues dhe i papërshtatshëm nga vetë viktima.
Pavarësisht se ngjarja ishte raportuar prindërve të vajzës dhe kishës në vitin 1987, autoritetet nuk ishin vënë në dijeni deri shumë vite më vonë. Asokohe, nuk ishte bërë asnjë kallëzim penal.
Gjatë seancës gjyqësore, Morris ishte i pranishëm me gruan e tij, fëmijët e rritur dhe bashkëshortet e tyre.
Ky rast ka ngritur edhe një herë pyetje serioze mbi mënyrën si trajtohen akuzat për abuzim seksual brenda komuniteteve fetare në SHBA, si dhe mbi rolin e lidershipit fetar në shfrytëzimin e pozitës për përfitime të paligjshme.