Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar ka shpallur fajtore 26-vjeçaren Alexandra Walker dhe partnerin e saj, Harrison Simpson, 22 vjeç, për vdekjen e vajzës dyvjeçare Isabel, e cila sipas hetimeve ishte viktimë e dhunës së vazhdueshme dhe abuzimit seksual përpara se të humbte jetën nga një goditje fatale në kokë, në shtator të vitit 2025.

Dy të pandehurit u gjykuan për një sërë veprash penale, përfshirë vrasjen e paqëllimshme, shkaktimin ose lejimin e vdekjes së një fëmije, abuzimin me të mitur dhe sulmin seksual. Trupi gjykues e shpalli Harrison Simpson fajtor edhe për abuzimin seksual ndaj së miturës, ndërsa Alexandra Walker u shpall e pafajshme për këtë akuzë.

Ngjarja u zbulua më 13 shtator 2025, kur shërbimet e emergjencës u thirrën në banesën e familjes. Isabel u gjet në fund të shkallëve, pa shenja jete dhe në gjendje tepër të rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, vogëlushja nuk mundi të mbijetonte.

Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi një panoramë tronditëse. Në trupin e dyvjeçares u konstatuan mavijosje të shumta, ndërsa hetimet nxorën në pah se ajo kishte pësuar plot 21 fraktura gjatë javëve që paraprinë vdekjen.

Sipas mediave britanike, nëna e fëmijës nuk kërkoi menjëherë ndihmë mjekësore, edhe pse vajza ndodhej në gjendje kritike. Hetimet zbuluan gjithashtu se çifti konsumonte në mënyrë të vazhdueshme alkool dhe kanabis.

Vendimi i gjykatës i jep fund një prej çështjeve më tronditëse të abuzimit ndaj fëmijëve në Britani, ndërsa dënimi i dy të pandehurve pritet të caktohet në një seancë të veçantë.