Një aksident tragjik ajror ndodhi në veriperëndim të Gjermanisë, ku një aeroplan i vogël turistik u përplas në çatinë e një shtëpie në zonën e banuar të Ganderkesee, pranë qytetit të Oldenburgut, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.

Sipas policisë, aeroplani depërtoi përmes çatisë së banesës pas përplasjes. Fillimisht autoritetet raportuan për një viktimë dhe një person të zhdukur, por pas një operacioni të gjatë kërkimi në rrënoja u konfirmua se të dy personat që ndodheshin në bord kishin humbur jetën.

Viktimat janë dy burra, të moshës 65 dhe 77 vjeç, banorë të qytetit të Bremenit.


Shefi i Policisë së Delmenhorst deklaroi se kërkimi në vendin e ngjarjes ishte “i gjatë dhe i ndërlikuar”, për shkak të dëmtimeve të mëdha të shkaktuara nga përplasja.

Pas përfundimit të operacionit, aeroplani i dëmtuar u largua nga vendi i aksidentit, ndërsa banorët e shtëpisë u lejuan të riktheheshin në banesën e tyre.

Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi rrethanat e rrëzimit të aeroplanit.