Riemërtimi hasi kundërshtimin e Bashkisë së Milanos dhe disa bashkive të tjera të zonës, të cilat iu drejtuan gjykatës. Në prill të këtij viti, Gjykata Administrative Rajonale e Lombardisë hodhi poshtë kundërshtimet kryesore ndaj procedurës, duke konfirmuar ligjshmërinë e vendimit të ENAC. Pas këtij vendimi nisi edhe vendosja e sinjalistikës me emrin e ri të aeroportit.

Për familjen Berlusconi, zyrtarizimi i emrit ka një domethënie të veçantë. Marina Berlusconi, vajza e madhe e ish-kryeministrit dhe presidente e Fininvest, tha për ANSA se ndjen krenari dhe emocion nga fakti që emri i të atit do të jetë i pranishëm në një aeroport që çdo ditë lidh Milanon me pjesën tjetër të botës.

Silvio Berlusconi ishte një nga figurat qendrore të politikës dhe biznesit italian për disa dekada. Ai drejtoi disa qeveri italiane, themeloi partinë Forza Italia dhe ndërtoi një perandori të madhe mediatike përpara hyrjes së tij në politikë.

Me ceremoninë e 25 shtatorit, emri i tij lidhet tashmë zyrtarisht me Malpensën, një nga aeroportet kryesore ndërkombëtare të Italisë.