Një incident i ri detar është regjistruar në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Një anije cisternë është dëmtuar pasi është goditur nga një objekt, origjina e të cilit nuk është përcaktuar ende.
Alarmin e ka dhënë Operacioni i Tregtisë Detare i Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), struktura britanike që mbledh dhe shpërndan informacion mbi incidentet e sigurisë që prekin anijet tregtare.
Sipas të dhënave paraprake, cisterna ishte duke lundruar në drejtim të daljes nga Ngushtica e Hormuzit në momentin kur është regjistruar goditja.
Objekti, i përshkruar nga UKMTO si një “predhë e paidentifikuar”, ka goditur njërën anë të anijes, duke shkaktuar dëmtime materiale.
Pavarësisht incidentit, nuk raportohet për viktima apo të plagosur. UKMTO ka konfirmuar se i gjithë ekuipazhi ndodhet në gjendje të mirë.
Ende nuk dihet se çfarë lloj predhe goditi cisternën, nga erdhi ajo dhe nëse incidenti ishte një sulm i qëllimshëm. Autoritetet nuk kanë publikuar gjithashtu të dhëna të hollësishme mbi përmasat e dëmeve të pësuara nga anija.
Rrethanat e ngjarjes mbeten për t’u sqaruar, ndërsa priten informacione të mëtejshme mbi incidentin dhe origjinën e goditjes.
