Një avion i kompanisë Air Arabia rrezikoi të përfundonte në det vetëm pak sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Katanias në Siçili. Sipas autoriteteve italiane, 11 sekonda pas ngritjes, avioni Airbus A320 humbi lartësinë dhe ra me shpejtësi rreth 300 milje në orë, duke iu afruar deri në 60 metra mbi sipërfaqen e detit.
Avioni, që udhëtonte pa pasagjerë drejt Amanit të Jordanisë, kishte në bord dy pilotë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Sipas agjencisë italiane të sigurisë ajrore ANSV, gjatë momentit kritik u aktivizua sistemi paralajmërues GPWS (Ground Proximity Warning System), që njofton për rrezikun e përplasjes me tokën ose detin.
Ngjarja ndodhi më 20 shtator, rreth orës 23:57, në kushte të mira moti. Pavarësisht rënies së papritur, pilotët arritën të stabilizonin avionin dhe ta çonin fluturimin në destinacion pa incidente të tjera, duke u ulur në Aman në orën 02:52 me orën italiane.
Hetuesit dyshojnë për gabim njerëzor në llogaritjen e peshës së ngritjes ose për manovër të pasaktë të pilotëve. ANSV ka hapur një hetim zyrtar, ndërsa pilotët do të japin dëshmitë e tyre që do të krahasohen me të dhënat e regjistruara në sistemet e avionit.