Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ministri aktual i Forcës së Sigurisë Së Kosovës, Agim Çeku sot zyrtarisht është kandiduar për kryetar të Komunës së Prishtinës nga kryeministri Hashim Thaçi.
Në një konferencë për media të thirrur pasditen e së martës, kryeministri Thaçi ka thënë se pas konsultimit me disa personalitete të Prishtinës dhe shoqërisë civile ka vendosur që ta kandidojë Çekun për kryetar të kryeqytetit.
“Pas një konsultimi të gjerë me personalitete të ndryshme, të kategorive të ndryshme të shoqërisë, me simpatizantë të degës së PDK-së në Prishtinë, për një Prishtinë të re, për një Prishtinë të zhvilluar, kemi vendosur që për kandidat për kryetar ta emërojmë ish kryeministrin, tani ministrin Agim Çeku”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kurse, Agim Çeku pas emërimit për kryetar tha se ka fituar shumë beteja deri me tani dhe se edhe në këtë betejë ka hyrë pa u frikësuar.
“Së pari i falënderojë degët e PDK-së për Prishtinën që me kanë besuar dhe unë do të bëj gjithçka të jetë e mundur që të përmirësojë jetën e qytetarëve të Prishtinës. Unë do të punojë për një Prishtinë evropiane që qytetarët e saj të jetojnë si europianë”, ka thënë Çeku.
Ai ka thënë se nuk ka hyrë në garë për të mundur askënd, por për qytetarin e Prishtinës dhe përmirësimin e jetës së tij. “Unë krenohem me Prishtinën. E dua një Prishtinë evropiane dhe për këtë e kam pranuar kandidimin. Kështu që ne mendojmë që ta bëjmë një Prishtinë evropiane dhe të kemi një kryeqytet evropiane”, tha Çeku.
3 shtator 2013 (gazeta-Shqip.com)